Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka bërë presion për më shumë mbështetje për armë, gjatë një takimi të premten me liderët më të lartë ushtarakë të SHBA-së dhe më shumë se 50 vendeve të tjera partnere, që është mbajtur në Gjermani.
Thirrja e tij erdhi pak pasi Washingtoni njoftoi se do të ndante edhe 250 milionë dollarë të tjera ndihmë për sigurinë për Kievin, raporton AP.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin ka thënë se takimi i liderëve po zhvillohej gjatë një momenti dinamik në luftën e Ukrainës kundër Rusisë, ndërsa ajo po përballet me një kërcënim serioz nga forcat ruse pranë një qendre kyçe në Donbas.
Kjo është hera e parë që Zelensky po qëndron në bazën ajrore amerikane “Ramstein” në Gjermani, teksa e shfrytëzoi këtë rast për të theksuar se, sipas tij, ajo që nevojitet më shumë tani është që SHBA-ja dhe Perëndimi ta lejojnë atë të përdorë armët për të sulmuar thellë brenda Rusisë, diçka për të cilën SHBA-ja nuk e ka mbështetur nga shqetësimi se do të përshkallëzonte më tej luftën.
“Ne duhet ta kemi këtë aftësi me rreze të gjatë, jo vetëm në territorin e ndarë të Ukrainës, por edhe në territorin rus, në mënyrë që Rusia të jetë e motivuar për të kërkuar paqen”, u ka thënë Zelensky liderëve.
“Ne duam t’i japim fund kësaj lufte. Ne duam paqen. Duam të shpëtojmë popullin tonë para së gjithash. Dhe është Putini ai që nuk dëshiron paqen. Dhe kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për forcë. Duhet ta detyrojmë Rusinë të kërkojë paqe. Ne duhet t’i bëjmë qytetet ruse dhe madje edhe ushtarët rusë të mendojnë për atë që u nevojitet: paqen apo Putinin? Dhe është realiste t’i shtyjmë ata të zgjedhin paqen”, ka thënë Zelensky.
Deri më tani, sulmi i befasishëm brenda territorit të Kurskut të Rusisë, gjatë të cilit, sipas Zelenskyt ushtria e Ukrainës ka arritur të kap rreth 1,300 kilometra të territorit rus, dhe të vrasë e plagosë rreth 6,000 ushtarë rusë, nuk e ka tërhequr vëmendjen e presidentit, Vladimir Putin nga marrja e qytetit ukrainas të Pokrovsk, i cili ofron lidhje kritike hekurudhore dhe furnizimi për ushtrinë ukrainase.