Pragë, 7 shtator 2023. Dita kur Kombëtarja shqiptare bëri kthesën për kualifikimin në Kampionatin Europian. Si mund të harrohet ai goli i Nedim Bajramit në minutën e 66-ë ku me një të djathtë precize, lëshoi një “silurë” nga distanca, për të tundur rrjetën e çekëve.
Një pikë tepër e vlefshme, që do të mbahet mend gjatë. Ndërkohë sot, 7 shtator 2024, fiks një vit pas asaj përballje, kuqezinjtë do të luajnë sërish në Pragë, por jo në “Fortuna Arena”. Vetëm 8 kilometër më tutje, ndodhet stadiumi “Epet Arena”, që i përket Spartës së Pargës, skuadër ku aktivizohet Qazim Laçi.
Ndërsa impianti i Slavias një vit më parë i solli fat Kombëtares dhe mbi 3 mijë tifozë të pranishëm, pak a shumë e njëjta situatë shpresohet të përsëritet edhe sot në mbrëmje. Përballë nuk do të kemi vendësit, por Ukrainën e fortë. Diçka të tillë e tregoi në Europian dhe tani ka gjetur “strehë” në Çeki. Teksa Silvinjo ka përgatitur “luftëtarët” e tij për këtë ndeshje, tifozëve u vjen në mendje ajo perlë e Bajramit, dhe çfarë nuk do të jepnin, për të përjetuar “live” edhe një tjetër gol aq të bukur sa ai.
Me kujtimet e një viti më parë, por me përqendrimin e një ekipi me eksperiencë nga Kampionati Europian, Shqipëria do të tentojë të nisë këtë aventurë në Ligën e Kombeve me këmbën e mbarë dhe të kthehet në Tiranë për të “bërë detyrat” për ndeshjen me Gjeorgjinë e Kvarashkelias. Sot është momenti i duhur, pasi në muajin tetor përgatitjet janë të një lloji tjetër. Rikthehemi sërish në të njëjtin stadium për të sfiduar çekët dhe pas tri ditësh udhëtojmë në Gjeorgjinë e largët. Panorama Sport