Mendësi otomane, e ka cilësuar Kryeministri Edi Rama, atë që bashkon të gjithë ata që thonë se në Shqipëri nuk ka zgjedhje të lira, sepse ata humbasin.

Në fjalën e mbajtur para Asamblesë Kombëtare, Rama tha se ata merren tërë ditën e perëndisë vetëm me ne, dhe asnjë ditë nuk bëjnë punën e tyre, për të mbjellë besimin në popull për veten e tyre.

“Në politikë dhe në media u mobilizuan ta manipulojnë ngjarjen kriminale të ndodhur në Pogradec. Me shpejtësinë marramendëse u prodhua një film i kronikës së zezë për të prodhuar të gjitha të pavërtetat e mundshme”, tha Rama.

Në vijim, Kryeministri tha se u tha se Pogradeci ishte kthyer si një Siçili e viteve ’80 dhe kjo ishte një gënjeshtër.

“U tentua të thuhej se Policia kishte tentuar të fshihte krimin. U bërtit fort se ambulanca kishte vajtur me 40 minuta vonesë. Por edhe kjo ishte një gënjeshtër. U përhap përralla se autori i krimit kishte mbrojtje politike, ngaqë një dajë i tij, ishte eksponent politik në Pogradec. Edhe kjo ishte një gënjeshtër.

Partia Socialiste nuk mbron as ministrat dhe jo më të mbrojë këtë dajën, që është i dënuar, dhe nuk ka asnjë lidhje sot me Partinë Socialiste.

Viktima po, ishte anëtar me teser i PS-së, nuk ishte pronar lokali, por punonjës i OSHEE”, tha Rama.

Referuar ngjarjes së Pogradecit, Kryeministri u ndal te revolta që krijoi Prokurori që me papërgjegjshmërinë e tij, pa bërë asnjë hetim, e klasifikoi krimin si “vrasje nga pakujdesia”.

“Policia kishte dorëzuar dosjen me prova dhe fakte në Prokurori. Por Prokuroria e Korçës për të larë të trashin me të hollin, vajti dhe mori nën hetim edhe një punonjës të patrullës policore. Prokuroria bëri politikë, në vend që të bënte hetimin”, tha Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: