Erinda Balanca, Avokate e Popullit, në rubrikën “Opinion” në News24 tha se zgjedhja e Avokatit të ri duhet të ndodhë, pasi çdo titullar institucioni duhet të jetë në legjitimitet të plotë.
Balanca tha se është një kohë jo shumë e mirë për të drejtat e njeriut në përgjithësi, duke sjellë në vëmendje vështirësitë që janë krijuar në disa shtete për zgjedhjen e Avokatit të Popullit.
Ajo tha se nuk ka kandiduar për një mandat të dytë, duke shtuar se në kushte të tilla është plotësisht e qetë për personin që do të zgjidhet si Avokat i Popullit.
“Unë mendoj se që nga viti 2017 kur jam zgjedhur unë, ka një rekomandim nga Këshilli i Europës, për mënyrën se si duhet të zgjidhet Avokati i Popullit, sikundër ka një rekomandim nga Komisioni i Venecias, të cilat ne i zbatojmë me përpikmëri.
Avokati i ri i Popullit duhet të zgjidhet bazuar në meritokraci, të ketë treguar lidership. Janë 3 ose 4 kandidatë në listën që kanë shprehur interesin që mund të zgjidhen bazuar në meritokraci dhe lidershipin që kanë treguar”, tha Balanca.
Ajo tha se ligji është shumë i qartë, nuk kemi vakume ligjore, përsa i takon zgjedhjes së Avokatit të Popullit dhe qëndrimit në detyrë të avokatit deri në zgjedhjen e të riut.
Duke folur për institucionin e Avokatit të Popullit, Balanca tha se ka paraqitur propozime për ndryshime në Kodin Penal kundër feminicidit, duke ashpërsuar masat e dënimit.
Ajo tha se duhet të ndalet feminicidi, duke shtuar se Avokati i Popullit nuk trajton ankesa individuale. Balanca tha se janë ndërmarrë nisma për të rritur dënimet sa i takon dhunës në familje.
Avokatja e Popullit tha se Shqipëria nuk është vendi që ka situatën më të rëndë në raport me feminicidin. Në këtë kuadër ajo përmendi Italinë, për të cilën tha se ka shifra alarmante.
“Institucionet janë bashkëpunuese, por çështja qëndron te buxhetet. Mbështetet promovimi i politikave në favor të promovimit të grave. Por duhet të kini parasysh se gjithçka varet nga edukimi. E kam thënë edhe 7 vjet më parë, që çdo nënë që lind një djalë, duhet të edukojë fëmijën e saj në raport me sjelljen që duhet të ketë në raport me femrat”, tha Balanca.
Duke folur për rolin e mediave, Balanca tha se përgjithësisht kanë bërë një punë të mirë, por në disa raste, veçanërisht për dhunën në familje, nuk ruhet identiteti i fëmijëve.
“Duhet ti japim një shërbim qytetarëve, duhen denoncuar rastet, por duhet të ruhet identiteti”, tha Balanca.
Lidhur me rrjetet sociale, Balanca tha se mesazhi që kam është “nëse nuk do që dikush duhet të të bëjë një gjë ty, mos ia bëj ti të tjerëve”.
(BalkanWeb)