Nxënësit e klasës së parë dhe të katërt në shkollën 9 vjeçare “Ibrahim Temo” në fshatin Kurdari të Njësisë Administrative Suç në Bashkinë e Klosit prej dy ditësh kanë bojkotuar mësimin. Shkak për këtë bojkot bëhet bashkimi i këtyre klasave në një klasë kolektive.

Gazetari Enver Doçi raporton për Balkanweb se prindërit dhe gjyshërit e nxënësve kërkojnë që mësimi të bëhet si vitin e kaluar ku secila klasë të ketë mësuesin e tij. Ata thonë se do të vijojnë protestën dhe bojkotin e mësimit deri sa kërkesa e tyre të merret parasysh.

Drejtues të ZVA Klos thanë se problemi po shqyrtohet, ndërsa shkak për bashkimin e klasave është bërë ulja e numrit të nxënësve. Veç problemit të bashkimit të klasave në kolektive, prindërit ngrejnë shqetësimin edhe për kushtet në këtë godinë arsimore pasi sipas tyre është bërë vetëm lyerja nga jashta e asnjë meremetim brenda.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: