Gjykata e Lartë nuk ka pranuar kërkesën e Enkelejd Alibeajt për pezullim të vendimit për çështjen e vulës në Partinë Demokratike.
Në kërkesën drejtuar Gjykatës së Lartë, grupi i Lulzim Bashës kërkoi pezullimin e vendimit të Agron Zhukrit dhe Gjykatës së Apelit, që i dhanë vulën e PD-së, ish-kryeministrit Sali Berisha.
Kërkesa u shqyrtua këtë të martë në Dhomë Këshillimi. Sipas këtij vendimi të Gjykatës së Lartë, Berisha do të ketë të drejtë që të vijojë të përdorë vulën e partisë, pasi kërkesa për pezullim u rrëzua.
Ndërkohë, Gjykata e Lartë do të vijojë shqyrtimin e rekursit të Lulzim Bashës, i cili kërkon zhbërjen e vendimit të Zhukrit të 23 marsit 2022 që i dha vulën Berishës, prishjen e vendimit të Apelit që la në fuqi Shkallën e Parë, si edhe pushimin e gjykimit.
Pas këtij vendimi, ka pasur edhe një reagim nga Basha i cili sqaron se rekursi nuk është rrëzuar, ndërsa shkruan se nuk dorëzohet përballë pazarit Rama-Berisha.
(Balkanweb)