Nën kujdesin e MEPJ, nisin sot punimet e Samitit të grave afgane, takimi më i madh i tre viteve të fundit të grave dhe vajzave aktiviste të të drejtave të njeriut nga Afganistani.

Ministri i Jashtëm Igli Hasani, në fjalën e tij deklaroi se kjo është një ngjarje historike dhe eventi i parë që mbledh një numër kaq të lartë të grave afgane. Ai tha se regjimi taleban po përkeqëson situatën e grave në Afganistan.

“Regjimi taleban po përkeqëson situatën e përditshme në vend. Rrezikohet autonomia dhe ekzistenca e grave dhe vajzave afgane në shoqëri. Masat e talebanëve, diskriminim sistematik i bazuar në gjini. Vajzave dhe grave u ndalohet e drejta për të ndjekur arsimin e mesëm dhe të lartë.

Targetimi i grave jo i rastësishëm, ato janë pjesa më luftarake e shoqërisë njerëzore. Gratë afgane vijojnë të tregojnë një qëndresë dhe guxim të jashtëzakonshëm. Komuniteti ndërkombëtar të zgjerojë mbështetjen e tij dhe të amplifikojë përpjekjet”, tha Hasani.

Fjala e plotë:

E nderuar Zonja Koofi,

Motra afgane,

Miq e të ftuar,

Gjatë dy viteve të fundit, talebanët kanë shpallur të paktën 70 dekrete dhe udhëzime që godasin drejtpërdrejt të drejtat themelore dhe realitetin e përditshëm të grave dhe vajzave, duke i kthyer ato në objekt të diskriminimit sistematik të bazuar në gjini dhe shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut.

Këto masa vërehen qartë në kufizimet e rënda të vendosura mbi qasjen e grave dhe vajzave në hapësira publike, mundësitë për t’u punësuar, të drejtat riprodhuese, kujdesin shëndetësor për nënat dhe shërbimet për shëndetin mendor. Nën regjimin taleban, Afganistani është kthyer në vendin e vetëm në botë ku vajzave dhe grave u ndalohet e drejta për të ndjekur arsimin e mesëm dhe të lartë. Jo rastësisht regjimi i talebanëve synon të zhbëjë të drejtat e nënave dhe motrave afgane, nderin dhe dinjitetin e tyre, vetë thelbin e qenies njerëzore, duke e ditur mjaft mirë se gratë janë pjesa më aktive e shoqërisë njerëzore, një bashkësi e vetëdijshme për rolin e saj në shoqëri, ripërtëritjen dhe çuarjen përpara të saj. Nuk mund të ketë një shoqëri njerëzore të drejtë që nuk respekton dhe vigjilon mbi të drejtat e grave.

Ky mjedis represiv dhe çnjerëzor ka çuar në një përkeqësim të dukshëm të cilësisë së jetës për gratë e vajzat afgane, sipas burimeve të ndryshme të të dhënave dhe dëshmive të shumta të viktimave të këtij sistemi. Përballë këtij realiteti gjithnjë e më të ashpër, gratë afgane vijojnë të tregojnë një qëndresë dhe guxim të jashtëzakonshëm. Nga veprimi dukshëm i thjeshtë i daljes nga shtëpitë, deri tek sfidat më komplekse të organizimit të komuniteteve dhe përpjekjeve të palodhura për barazi, vendosmëria e tyre mbetet e patundur dhe, në disa raste, bëhet gjithnjë e më e fortë.

Të nderuar miq,

Ndërsa komuniteti ndërkombëtar vijon të ngrejë zërin e  të dënojë në termat më të forta qëndrimin e talebanëve ndaj respektimit të të drejtave themelore të njeriut, ne besojmë se ka ende shumë për të bërë me qëllim lehtësimin dhe përmirësimin e situatës së e grave dhe vajzave afgane.

Është e nevojshme që komuniteti ndërkombëtar të zgjerojë mbështetjen e tij dhe të amplifikojë përpjekjet në luftën për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave themelore. Ne duhet t’u ofrojmë atyre burimet, ekspertizën dhe solidaritetin që u nevojiten për të rindërtuar jetën e tyre dhe për të krijuar një shoqëri ku barazia gjinore nuk është thjesht një ëndërr e largët, por një realitet i prekshëm.

Të gjithë ne duhet të intensifikojmë thirrjet për të siguruar që zërat e organizatave të shoqërisë civile të grave dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut në Afganistan të dëgjohen dhe të merren parasysh në organizatat përkatëse ndërkombëtare dhe më tej.

Përpjekjet tona për të adresuar aspektet humanitare, të drejtat e njeriut dhe situatën socio-ekonomike në Afganistan rrezikojnë të dështojnë nëse nuk e adresojmë siç duhet dhe në kohë gjendjen katastrofike të grave dhe vajzave atje.

Shqipëria ka qenë pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për të sjellë paqe dhe stabilitet në Afganistan, në kuadër të misionit ISAF, dhe më pas, përmes Misionit “Resolute Support”, të udhëhequr nga NATO.

Vendi ynë ka qenë vokal në vlerësimin e guximit, qëndrueshmërisë dhe forcës së grave afgane, të cilat vazhdojnë të luftojnë për të drejtat e tyre themelore dhe me guxim denoncojnë brutalitetin e regjimit.

Strehimi i Afganëve në arrati nga tmerri i rikthimit të talebanëve në pushtet nuk përbën vetëm një betim të thellë nderi, të lidhur me traditën unike të mikpritjes së Shqipërisë, por ai dëshmon qartë vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të siguruar çdo afgan që hyn në territorin tonë, veçanërisht gratë dhe vajzat, me të gjitha mjetet bazë të nevojshme për të gëzuar dinjitet njerëzor dhe siguri të plotë në Shqipëri.

Ne kemi një fjalë të urtë që thotë: ‘Shtëpia e shqiptarit e mikut dhe e shtegtarit’. Edhe pse një vend i vogël e me mundësi të kufizuara ne krenohemi që u bëmë pjesë e bashkësisë së vendeve demokratike që morën përsipër barrën fisnike, jo thjesht të strehimit, por edhe të rikthimit të dinjitetit e humanizmit për të gjithë afganët që u shtrënguan të braktisin atdheun e tyre dhe në veçanti të grave e vajzave afgane. Ne nuk hapëm  dyert e shtëpive tona, ne hapëm zemrat tona për një popull fisnik e të shumëvuajtur.

Më vjen mirë të shprehem, se sot që flasim nga ky forum i lartë, ka mjaft shembuj të shkëlqyer të grave dhe vajzave të reja afgane që tashmë janë vendosur në Shqipëri dhe që dita-ditës po përmbushin ëndrrat e tyre, qoftë duke krijuar biznese të vogla ose projekte, qoftë duke u regjistruar në shkollë, qoftë duke kontribuar në jetën e komunitetit, dhe duke shërbyer kështu si një dëshmi e gjallë e fuqisë së lirisë dhe mundësive. Ashtu si deri më sot, ne jemi të vendosur t’u krijojmë të gjitha kushtet dhe t’i mbështesim për të realizuar ëndrrat dhe ambiciet e tyre, duke u njohur pa rezerva çdo të drejtë që gëzojnë edhe gratë shqiptare.

Për qeverinë e Republikës së Shqipërisë, garantimi i të drejtave të grave e vajzave dhe avancimi i agjendës “Gruaja, Paqja dhe Siguria” mbeten prioritetet kryesore, jo vetëm në fjalë dhe politikë por edhe në veprime dhe arritje konkrete. Duke siguruar pjesëmarrjen e tyre kuptimplotë në të gjitha nivelet, kemi parë përfitimet reale të një shoqërie që di të shfrytëzojë energjinë dhe krijimtarinë e gjithsecilit për të kontribuar në zhvillim dhe për të përparuar ndjeshëm në planin afatgjatë.

Vijimësia e politikës në kuadër të kësaj agjende është gjithashtu pasqyrim i qëllimit për të përfshirë dhe pasur kontributin e grave në jetën politike dhe publike, në përputhje me angazhimet në nivel ndërkombëtar dhe rajonal, përfshirë ato të OKB-së, NATO-s, BE-së, OSBE-së, dhe gjithë partnerëve ndërkombëtarë strategjikë të vendit.

E zgjedhur për herë të parë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së si anëtare jo e përhershme për periudhën 2022-2023, Shqipëria, renditi si parësore qasjen me bazë gjinore, duke sjellë në vëmendje se “një nga mënyrat më efektive për të arritur paqen dhe sigurinë e qëndrueshme është përmes përqendrimit të vazhdueshëm në zbatimin e përforcuar të Agjendës “Gruaja, Paqja dhe Siguria”, duke siguruar procese paqeje më gjithëpërfshirëse, barazi gjinore, fuqizimin e grave dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Aktualisht, duke qenë anëtare në Këshillin e të Drejtave të Njeriut, Shqipëria ka theksuar vazhdimisht se qëllimi i përndjekjes së grave dhe vajzave nga talebanët ka qenë i qartë: t’i fshijë nga jeta sociale, ekonomike dhe politike të vendit të tyre. Çdo arritje e regjimit obskurantist të talebanëve në këtë drejtim është një humbje për shoqërinë njerëzore në përgjithësi. Përgjegjësia për të ngritur zërin dhe kundërshtuar nuk është vetëm detyrë e grave afgane, por e të gjithëve ne, në çdo organizëm ndërkombëtar, në çdo forum e shesh të botës së lirë e të qytetëruar.

Më lejoni ta mbyll duke theksuar se pa gratë, nuk mund të ketë as zhvillim, as paqe të qëndrueshme. Ekspertiza, njohuritë, përvoja dhe aftësia e tyre për të kuptuar nevojat e komuniteteve, duhet pranuar dhe duhet të ketë një ndikim real dhe rol domethënës në të gjitha proceset e paqes. Mesazhi duhet të jetë i thjeshtë dhe i qartë: Paqja afatgjatë nuk arrihet pa përfshirjen dhe angazhimin kuptimplotë të grave.

Më lejoni t’ju uroj vijim të mbarë të punës këto ditë të Samitit dhe jam i bindur se kjo ngjarje historike sot do të vijojë më tej edhe në të ardhmen, duke u shndërruar në një gur themeli dhe duke nisur një proces të pakthyeshëm për gratë dhe vajzat afgane.

Faleminderit!

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: