Qëndrimi i vendeve të QUINT-it sa i përket hapjes së Urës së Ibërit nuk ka ndyshuar.
“Qëndrimi i ambasadave të vendeve të QUINT-it është komunikuar vazhdimisht dhe është i njohur për të gjithë akterët. Nuk ka asnjë ndryshim në këtë pozicion”, ka thënë kreu për Kulturë, Media dhe Komunikim në Ambasadën e Gjermanisë, Christian Boettcher.
Përfaqësues të shteteve të QUINT-it në vazhdimësi kanë deklaruar se janë kundër ndryshimit të statusit të Urës së Ibrit. Sipas tyre kjo çështje duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut me Serbinë.
Të martën e kësaj jave, në një vizitë në veri të vendit Kurti kishte thënë se për hapjen e urës janë në pritje të koordinimeve të vendeve të QUINT-it me KFOR-in.
“Ne jemi gati. Me konsultime e koordinim. Po i presim QUINT-in dhe KFOR-in. Vazhdimisht jemi në koordinim me ta. Kemi bërë përgatitje dhe punë sa i përket edhe pastrimit të mjedisit rrotull aty edhe të vlerësimit të qëndrueshmërisë së Urës në aspektin teknik dhe fizik”, pati thënë Kurti.
Pak orë pas deklaratës së Kurtit për hapjen e Urës, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka përcjellë për mediat një deklaratë. Në të thuhet se qëndrimi i KFOR-it nuk ka ndryshuar. Theksohet se vendimi për hapjen e Urës qendrore në Mitrovicë duhet të merret në dialog.