Kryetari i PD, Sali Berisha është pyetur nga gazetarët, gjatë komunikimit online me ta, nëse vajza e tij, Argita, do të kandidojë në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm.
Gjatë konferencës nga shtëpia, Berisha tha se “nëse ajo dëshiron primaret janë të hapura”. Ai shtoi se nuk është në dijeni të ambicies së saj për të qenë deputete në Kuvendin e Shqipërisë. Sa i takon pyetjes tjetër nëse Berisha do të jetë në listën e hapur apo të mbyllur, ish-kryeministri tha se për të nuk ka rëndësi.
“Të them të vërtetën në çdo listë për mua është njëlloj dhe nuk kam asnjë impresion. Sa i përket Argita Malltezit, atë nuk e vendos unë, por vetë ajo, nëse dëshiron primaret janë të hapura. Por nuk e di nëse ka ndonjë ambicie apo jo”, tha Berisha.
Sali Berisha, i cili u mor i pandehur nga SPAK për dosjen “Partizani” nën akuzën e korrupsionit pasiv, u pyet gjithashtu nëse ka një plan “B” për Partinë Demokratike nëse dënohet nga GJKKO.
“Rreth dy vite më parë Rama e Balla organizuar atentat ndaj meje në mes të ditës. Në korridoret e këtyre kriminelëve flitej se janë orët e fundit të Sali Berishës, vazhdova miting pa asnjë plan B. Përpjekja për t’i uzurpuar PD-së udhëheqjen, dështoi dhe do të dështojë, kjo është betejë për sovranitetin e vendit, për themelin”, tha Berisha.
(BalkanWeb)