Vendimi i Gjykatës lidhur me mandatin e Olta Xhaçkës është hedhur poshtë për herë të tretë radhzi dhe kjo është shkelje e dhunshme e Kushtetutës, kështu e cilëson sekretari i përgjithshëm i PL, Tedi Blushi.

Në një deklaratë ai shkruan se kjo është e padrejtë teksa fajin ia hedh kryeministrit lidhur me situatën, e cila është e gjitha në saj të Xhakës dhe mbrojtjes që po i bëhet asaj.

Më tej, Blushi shton se “në kushtet kur mafia ka kapur shtetin, ka asgjësuar Kushtetutën dhe ku drejtësia politike e SPAK-ut nuk bën gjë tjetër vetëm garanton pandëshkueshmërinë e Edi Ramës ndërkohë që izolon pa prova liderin e Partisë Demokratike dhe shantazhon drejtuesit e opozitës, çdo veprim qytetar kundër mafias në pushtet është legjitim”.

Deklarata e plotë e Tedi Blushit:

‘’Vendimi i Kuvendit për të hedhur poshtë për herë të tretë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Olta Xhaçkën është konfirmim i asgjësimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të vetë Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, është prova e asgjësimit të Kuvendit dhe shtetit të së drejtës.

Shkelja e dhunshme e Kushtetutës nga Edi Rama dhe deputetët bedelë të “Rilindjes” për të mbrojtur me çdo kusht interesat korruptive dhe mafioze të Olta Xhaçkës që prevaluan mbi autoritetin e Gjykatës Kushtetuese është konfirmimi se në Shqipëri mafia e ka tashmë shtetin e vet, përfshi edhe drejtësinë e kapur për fyti që po i garanton pandëshkueshmërinë, imunitetin politik dhe goditjen e kundërshtarëve politikë sipas agjendës dhe interesave elektorale të Kryeministrit.

Ky puç shumë i rëndë kushtetues i ndërrmarë nga mafia qeveritare dhe i diktuar nga interesat e parave të pista të narkotrafikut dhe trafiqeve të çdo lloji, është akti final i rënies “de jure” dhe “de facto” të shtetit.

Siç me të drejtë konstatoi së fundmi edhe prestigjozja gjermane “Der Spiegel”, si më herët RAI 3, Bild dhe “The Times”, sot Shqipëria është një autokraci e dominuar nga paratë e drogës dhe mafia, që vetëm SPAK-u nuk e sheh.

Mbyllja e syve para provave ulëritëse të korrupsionit skozfrenik dhe inkriminimit në nivele të larta, me të vetmin qëllim që të mos ndëshkohet Edi Rama dhe Erion Veliaj, të cilët i kanë kthyer zyrat e shtetit në strofulla të krimit të organizuar, të mafias ndërkombëtare, të Sinaloas, Ndranghetas dhe karteleve më të rrezikshme të trafikut të drogës, provon se SPAK është një organizatë kriminale në duart e Edi Ramës dhe mafias ndërkombëtare, që kërkon të shuajë sovranitetin e popullit shqiptar dhe të Republikës së Shqipërisë.

Në kushtet kur mafia ka kapur shtetin, ka asgjësuar Kushtetutën dhe ku drejtësia politike e SPAK-ut nuk bën gjë tjetër vetëm garanton pandëshkueshmërinë e Edi Ramës ndërkohë që izolon pa prova liderin e Partisë Demokratike, Prof.Dr. Sali Berisa dhe shantazhon drejtuesit e opozitës, çdo veprim qytetar kundër mafias në pushtet është legjitim.

Përshkallëzimi i aksionit opozitar në të gjitha frontet, mbështetja dhe nxitja e protestave kombëtare me qëllim rrëzimin e Narkoshtetit është mision kombëtar dhe Partia e Lirisë është e vendosur për t’i prirë kësaj beteje me çdo çmim në mbrojtje të demokracisë, pluralizmit politik dhe dinjitetit njerëzor, të lirisë dhe sovranitetit të Shqipërisë’’, shkruan Blushi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb