Tirana dhe Elbasani, pas 9 vitesh, 5 muajsh e 1 dite rikthejnë duelin e madh të viteve 2000 mes bardhebluve dhe verdhebluve.
Dy skuadrat që i kanë dhënë tonusin në sezonet 2004-2008, kthejnë “luftën” mes tyre në një ndeshje prestigji në “Air Albania”. Verdheblutë duan të ruajnë vendin e parë, ndërsa Tirana, të marrë fitoren e parë, ndonëse është skuadra e pamposhtur e Superiores. Një duel, që të kthen pas në kohë e të kujton jo vetëm përballjen sportive në fushë, por edhe garën në shkallët e stadiumit. “Fanatics” e “Tigrat verdheblu” gjithmonë e kanë mbushur stadiumin.
Gjithmonë kanë dhënë spektakël si në kryeqytet dhe Elbasan. Kjo do të thotë se pritet që edhe këtë ndeshje ata të mbushin “Air Albanian”. Një ndeshje që do të argëtojë në fushë, por edhe në shkallët e stadiumit, ndonëse tani kemi të bëjmë me AF Elbasanin dhe jo Elbasanin e dikurshëm, një fakt, që nuk është se ka shumë rëndësi, pasi gjithmonë Tirana-Elbasani është një klasike më vete.
STATISTIKAT – Tirana i ka në favor shifrat kundër Elbasanit. Ajo nuk thyhet që prej 2008-ës. Humbja e fundit daton më 9 nëntor 2008, kur verdheblutë fitonin në “Ruzhdi Bizhuta” me shifrat 1-0, me një gol të Abazajt. Sakaq, në sezonin e fundit që luanin bashkë në Superiore 2014-2015 sezon statistikat flasin për bardheblutë. Në katër ndeshjet e fundit luajtura mes skuadrave, kryeqytetasit i kanë fituar të gjitha (në shtëpi 2-0, 2-1 dhe në Elbasan 2-3 e 1-3 në Pogradec). 15 vite 10 muaj dhe dhjetë ditë ka Tirana që nuk mposhtet nga Elbasani. Bardheblutë disfatën e fundit kundër kësaj skuadre në transfertë e kanë pësuar në nëntor të 2008-ës. Ndaj kryeqytetasit do të tentojnë që ta ruajnë traditën edhe në takimin që do të luhet ditën e hënë në “Air Albania”.
NDESHJA E FUNDIT – Për të gjetur një Tirana duhet të kthehemi në 18 prill 2015. Në atë ndeshje, bardheblutë kanë fituar 1-3 përballë verdhebluve, në stadiumin “Gjorgji Kyçyku” të Pogradecit, paçka se ishte ndërtuar “Elbasan Arena”, ku ekipi asokohe i Maganit dominoi lojën. Një gol i shpejtë i Jaupit i shokoi jo pak Tiranën. Përtej vështirësive, kthesa erdhi falë golave të Hyshmerit, Bushiçit e Bakajt. Nga ajo skuadër në Pogradec, Tirana nuk ka asnjë futbollist. Frashëri që luan ende, është te Flamurtari, ndërsa tek Elbasani në aktivitet janë Gava dhe Hila.