8 pikë në 4 javë nuk janë shifrat prefekte, por në shtëpinë zikaltër nuk e bëjnë dramë këtë fillim sezoni. Sigurisht pika ndaj Monza-s i qëndron ngushte Inter, por trajneri Inzaghi kishte bërë një rotacion në shkallë të gjerë në vigjilje të sfidës së parë në Champions League kundër Man.City. Asllani zbriti në fushë nga minuta e parë, me Calhanoglu, Barella etj që qëndron në stol.

Ishte e qartë që kampionët do ta kishin të vështirë në këtë transfertë me Monza-n që u mbyll mirë pas, jo vetëm kaq, por në minutën e 81-të, Mota me një goditje shumë të bukur me kokë befasoi zikaltërit duke i dhuruar avantazhin ekipit vendas. Inter reagoi fuqishëm dhe pas disa tentativave, Dumfries në shtyllën e dytë, në minutën e 88-të shmangu humbjen duke bërë që zikaltërit të dilnin me një pikë pas barazimit 1-1.

Në përfundim të ndeshjes, Inzaghi shpjegoi se ekipi i tij bëri atë që duhej në këtë transfertë, thjesht nuk arritën të zhbllokonin ndeshjen shpejt: “Sjellja ishte e duhura, në 20 minutat e para krijuam disa raste, duhet vetëm të ishim treguar të zotë të zhbllokonim ndeshjen, ashtu siç bëmë një vit më parë. Monza u mbroj mirë, zhvilloi një ndeshje të mirë, ne duhet të ishim treguar më të zotë”, u shpreh Inzaghi duke bërë në fund dhe një koment për dyshen Frattesi-Asllani të hedhur në fushë si titullarë: “Bënë mirë, bënë atë që duhej, e gjithë skuadra bëri atë që duhej, e dëshironim fitoren, e meritonim, por komplimente edhe Monza-s”, shtoi trajneri i Inter.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb