5 ndeshje 15 pikë të plota, 17 gola të shënuar 4 të pësuar. Barcelona e Hansi Filck është thjesht perfekte këtë fillim sezoni në La Liga. Ekipi blaugrana po kalon një moment fantastik, mbi të gjitha në fazën sulmuese ku janë thjesht të papërmbajtshëm. Lamine Yamal dhuroi një tjetër shfaqe fantastike në ndeshjen kundër Girona, me sulmuesin spanjoll që realizoi një “dopietë” golash.

Në minutën e 30-të e vodhi golin duke përfituar nga një gafë në prapavijë, ndërsa 7 minuta më pas dyfishoi shifrat me një goditje të fortë në kufijtë e zonës së rreptësisë. Barcelona nuk e uli ritmin në asnjë moment, ku me fillimin e pjesës së dytë ishte Dani Olmo që me një depërtim në zonë trefishoi shifrat. Në këtë “banket” golash mori pjesë edhe Pedri, me mesfushorin spanjoll që realizoi golin e katërt në minutën e 64-ët. Girona ngushtoi shifrat në 4-1 me Stuani, por vetëm kaq pa mundur të riktheheshin në lojë. Në këtë ndeshje lajmi i hidhur ishte dëmtimi i Dani Olmo dhe kartoni i kuq i Ferran Torres.

  • foto galeri
  • foto galeri

Media pranë klubit të Barcelonës i thurën elozhe Lamine Yamal, protagonistit absolut të këtij takimi: “Lider total”, shkruan Mundo Deportino. “Barcelona fluturon”, ishte titulli kryesor i Sport.

Nuk i kurseu elozhet për Yamal as trajneri Flick: “Jam shumë i lumtur për dy golat e tij. Lamine është shumë i ri, por ai është me të vërtetë i jashtëzakonshëm, për më tepër në një moshë kaq të re. Ai është i rëndësishëm për ne, jo vetëm për klasin që ka, por ndihmon shumë ekipin duke ushtruar presion”, u shpreh Hansi Flick, i cili në konferencë për shtyp shtoi se tani kërkon nga ekipi i tij të ruajnë të njëjtin ritëm edhe ndaj Monaco në Champions League.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb