Në praninë e kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u zhvillua sot në kryeqytet një Konkurs Ndërkombëtar, ku 10 studio prestigjioze paraqitën përpara jurisë projekt-idetë për 4 zhvillime të reja, të cilat do t’i hapin rrugë një qasje të re për krijimin e zyrave dhe shërbimeve bashkëkohore për administratën publike.

Kreu i Bashkisë së Tiranës tha se këto konkurse janë tashmë një traditë që në kohën kur Edi Rama drejtonte Bashkinë e Tiranës dhe që e ka kthyer Tiranën në laboratorin më të madh të arkitekturës, të estetikës, të së bukurës dhe shijes që prodhon ekonomi.

“Tirana është sot hapësira ku jeton 40% e popullsisë së Shqipërisë, një hapësirë që prodhon 50% të ekonomisë së vendit. Kjo do të thotë se çdo investim në Tiranë, tamam si ata rrathët koncentrikë, ka fuqinë që të shumoher në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë”, tha Veliaj.

Ai renditi disa nga projektet që Bashkia e Tiranës ka bërë me urbanistikën dhe që kanë prodhuar ekonomi për vendin.

“Sot kemi stadiumin kombëtar, Pazarin e Ri, territore që kanë qenë territore të shkreta, por që kanë prodhuar ekonomi, përtej vetëm funksionit bazë të atij projekti. Ndërkohë, një fushatë e mbjelljes së pemëve dhe kujdesit ndaj mjedisit, që ka filluar që në vitet 2000 dhe ajo skuadër që drejtonte Bashkinë e Tiranës u shpërblye para pak javësh, kur Agjencia Evropiane e Mjedisit e cilësoi Tiranën një nga 10 kryeqytetet më të gjelbra. Kjo do të thotë se çdo investim tjetër duam ta shohim në këtë prizëm, se si është i gatshëm për të përballuar ndryshimet klimaterike të së ardhmes, se si e ul kontributin jo vetëm në energji, por edhe gjurmën e karbonit në qytetin tonë”, u shpreh Veliaj.

Ai tha se çdo projekt i ri i rrit vlerën pronës dhe rrit cilësinë e gjithë zonës ku investohet, duke sjellë një realitet të ri për kryeqytetin.

“Qoftë edhe një shkollë e bërë për së mbari, një ndërtesë që ka firmën e një kompanie prestigjioze, ndikon në të gjithë ekosistemin e pronave dhe të imobiliareve. Ndaj, duam që të shohim se si në këto 4 vatra investimi do të prodhojë më shumë mirëqenie, edhe një rritje të vlerës imobiliare në të gjithë atë zonë. Jam i sigurt që në finale si çdo debat tjetër, si çdo diskutim që kemi pasur, gjithmonë pyetja është që këto ndërtesa tashmë ekzistojnë, pse po bëjmë disa gjëra të reja? Është një dilemë që ne e kishim në një ndërtesë shumë të bukur në Bilevardin “Zogu i I” nga arkitekti Maks Velo, e cila u dëmtua prej tërmetit. Mund të kemi shumë nostalgji për ndërtesa të vjetra edhe mund të kenë lidhur shumë fate njerëzish ato histori dhe ato ndërtesa dhe ato hapësira, megjithatë koha, ndonjëherë fatkeqësia si tërmeti, kërkon që të reflektosh mbi to dhe të sjellësh një realitet të ri. Pra këtu nuk bëhet fjalë për të harruar historinë ose për të mohuar kontributet, këtu bëhet fjalë për të prodhuar një realitet të ri në Tiranën tonë”, përfundoi kreu i Bashkisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: