Deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj, gjatë mbledhjes së Komisionit parlamentar të Mediave, ku i pranishëm ishte edhe ministri Blendi Gonxhe, ngriti pyetjen se kur shteti shqiptar, Qeveria dhe Ministria e Kulturës, do i gjejnë vendin e merituar Ismail Kadaresë, gjeniut të letrave shqipe që u nda nga jeta në muajin korrik.

Gjekmarkaj pyeti se kur do te hapet një konkurs ndërkombëtar për vendin e tij e të përheshëm të prehjes, duke kërkuar edhe nëse është caktuar një datë.

“Në korrik u nda nga jeta mjeshtri i madh i letrave botërore Ismail Kadare! Ceremonia ndaj tij la shumë për të dëshiruar në shumëçka! Shkrimtari i shqiptarve, i Europës, i mbi 48 gjuhëve i përkthyer nuk ishte shkrimtari vetëm i PS!

Ikja e tij është një nga më të mëdhatë që në shekuj ka patur ky komb ! Vdekja e çdokujt meriton respekt, para saj jemi të gjithe të barabartë, por nuk jemi të tillë në kontribute e trashëgimi. Nëse do të pyeteshin të gjithë njerëzit e jashtëzakonshëm e te zakonshëm, madje nëse shkojmë në mistike, nëse bëhej një referendum i të gjallëve dhe të vdekurve, të gjithë do binin dakort që Ismail Kadare nuk duhej të ishte në Tufine sot!

Mjafton vetëm rruga për ato varreza si në Kandahar për të na turpëruar kur një kamer e huaj do i ngjitet asaj, jo thjesht për Ismail Kadarene, po e po për atë, por edhe për gjithë ata shqiptarë që prehen atje”, tha Gjekmarkaj.

Në vijim të fjalës së tij, Gjekmarkaj solli në vëmendje se para pak ditësh ishte 100 -vjetori i At Zef Pllumit.

“Në Ministrinë tuaj nuk pati asgjë as një status hipokrit e mediokër siç ndodh rëndom!

Ky duhej të ishte viti i At Zef Pllumit, por ju e keni të vështirë të pranonin në ndergjegjen tuaj përmasën e jashtëzakonshme të autorit të “rrno vetem për me tregue” të atij shqiptari që me memoriet e tij i dëshmoi qytetërimit tonë se çfarë është njeriu në tirani, kush qëndroi e kush u thye!

E keni të gjithë ju të vështirë ta pranoni përmasën e fratit të kujtimeve sepse ai dëshmoi përgithmonë krimet për të cilat askush nuk kërkon falje, askush nuk bën ndarjen etike! Un nuk kërkoj luftë klasash , nuk kërkoj fajin e gjyshërve e të baballarëve tek bijët por kërkoj reflektim tek ata, distancë morale.

Duhej të ishte viti i At Zef Pllumit, duhej ribotuar vepra e tij, duhej sensibilizuar shoqëria edhe për mesazhet e tij sepse tashmë i përkthyer në gjuhët e mëdha të Botës edhe ai e ka tejkaluar vullnetin e burokratëve por janë burokratët ata që ja i bëjnë dëm shoqërisë duke e privuar nga vlerat e veta sublime, duke i futur paaftësi e keqdashje komunikimit të tyre me shqiptarët”, tha Gjekmarkaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb