TIRANE

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë dje në ceremoninë e hapjes së Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut, i cili rikthehet në edicionin e 19, nën organizimin e Akademisë së Filmit dhe Multimedias Marubi. Fjalën e tij Veliaj e nisi me Kinema Marubin, kur tha se tashmë ajo është shndërruar nga një hapësirë ku shfaqej një Shqipëri e rreme, në një hapësirë lirie.

“Është një privilegj i jashtëzakonshëm se si një hapësirë, në periferi të Tiranës, është kthyer nga një vend ku dikur prodhohenin filmat e një Shqipërie të rreme, e cila nuk ishte as e lumtur, nuk kishte as mirëqenie, nuk ishte as demokratike, në një hapësirë lirie”, tha Veliaj. Pikërisht, kjo hapësirë, sipas kryebashkiakut të Tiranës, e ka kthyer zonën e Kinostudios, që dikur konsiderohej periferike, në një hapësirë për krijimin dhe zhvillimin e ideve intelektuale.

  • foto galeri
  • foto galeri

“Kjo hapësirë është kthyer në një oaz të jashtëzakonshëm, që u ruajt me shumë forcë dhe këmbëngulje nga të gjitha grupet e shoqërisë civile, një oaz që sot e ka bërë Kinostudion nga një vend periferik në një epiqendër të një debati diskutimi, të një provokimi të ideve intelektuale”, deklaroi më tej ai.

Filmi merr një rëndësi të veçantë, sipas kryebashkiakut Veliaj, pasi sjell më afër problematika, qofshin këto edhe të shoqërisë shqiptare, që në realitet na duken shumë larg. “Filmi na sjell shumë afër realitete shumë të largëta. Gjërat që duken larg, filmi i sjell më afër. Gjërat që ndoshta në përditshmërinë tonë janë të padukshme, një film i nxjerr në pah dhe na provokon të gjithëve një ide, një të menduar ose edhe një vendimmarrje”, tha ai.

Sipas tij, projekti i shpalosur që në muajt e parë të marrjes së detyrës si kryebashkiak për Tiranën policentrike, sot është realizuar. “Ky festival është një dhuratë për qytetin, është një bekim, ndaj ndihem vërtet mirë që kjo akupunkturë, që prek një ‘nerv’ këtu në Kinostudio, ashtu si kinema ‘Maks Velo’ në Kombinat, tregon se Tirana policentrike është një qytet që jeton në hapin e kohës në të gjitha lagjet e saj”, përmbylli ai.

Nga ana e tij, drejtori i festivalit të filmit, Kujtim Çashku vlerësoi ndryshimin që ka pësuar Tirana, duke nisur nga investimet në art e deri te ato në shkolla dhe infrastrukturë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: