Shërbimi i Sigurisë Informative të Çekisë (BIS) ka paralajmëruar se Kina përbën një kërcënim thelbësor për stabilitetin euro-atlantik, duke përdorur kanale të ndryshme, përfshirë LinkedIn, për të nxitur propaganda pozitive në favor të Pekinit.
Në raportin më të fundit, BIS zbuloi se Kina po shënjestron akademikët në vend për shkrime dhe raporte me një qasje pozitive për Kinën. Përmes LinkedIn, shërbimet e inteligjencës kineze përdorin “profile falso të punonjësve nga kompani konsulence ose rekrutim burimesh njerëzore” fiktive, kryesisht të vendosura në Singapor ose Hong Kong, për të kontaktuar akademikët çekë.
Akademikëve u ofrohen stimuj financiarë dhe incientivë të ndryshëm në këmbim të këtyre raporteve dhe kërkimeve që përputhen me interesat politike të Kinës. Ajo që fillon si një mundësi profesionale legjitime shpesh çon në përfshirje më të thellë dhe shpërndarjen e të dhënave sensitive, të cilat nuk janë publike.
“Këto studime zakonisht shërbejnë si një hap paraprak drejt bashkëpunimit të mëtejshëm, duke përfshirë ofrimin e informacioneve specifike”, thuhet në raport.
Pasi vendoset kontakti fillestar, akademikët më pas ftohen në udhëtime me të gjitha shpenzimet e paguara nga kompanitë fiktive në Kinë, për të forcuar marrëdhëniet dhe për të krijuar një ndjenjë përkushtimi ndaj interesave kineze.
Raporti i BIS gjithashtu thekson synimin afatgjatë gjeopolitik të Kinës për t’u pozicionuar si superfuqia ekonomike më e rëndësishme dhe për të krijuar një kundërpeshë efektive ndaj vendeve të G7-ës.
Duke depërtuar në rrethe akademike dhe profesionale, Kina jo vetëm kërkon informacione të drejtpërdrejta, por edhe synon të minojë parimet e demokracisë dhe tregjeve të lira, thelbësore për civilizimin euro-atlantik.
Agjencia e inteligjencës gjithashtu ngriti alarmin për rreziqet e pajisjeve si telefonat, orët inteligjente të dorës, por dhe automjetet elektrike, përbëjnë rrezik për divulgim të të dhënave personale. Sipas BIS, këto pajisje mund të shfrytëzohen nga aktorë shtetërorë kinezë. Agjencia nuk përmend në mënyrë eksplicite pajisjet kineze, por ngre paralajmërimin kundër produkteve nga vendet regjimet politike dhe legjislacioni i të cilave rrisin mundësinë e keqpërdorimit të të dhënave nga fuqia shtetërore.