Drejtori i Përgjithshëm i News24, Aleksandër Çipa, i ftuar në rubrikën “Opinion” me gazetaren Nisida Tufa, komentoi dhe skandalin me diplomat te Kolegji Wisdom, që dyshohet se shiteshin me para.

Çipa tha rikthimi i problemit të trafikimit të diplomave nga Italia në Shqipëri, bën të domosdoshme ndëhyrjen në sistemin e arsimit të partë. Ai tha se duhet të kthehet meritokracia në arsim.

“Po sjell në vëmendje të opinionit publik, por kryesisht të sektorit të arsimit të lartë shqiptar, një element të korrupsionit, që nuk është më vetëm endogjen në Shqipëri, por mesa duket ka dhe dimensione rajonale. Italia, përmes modeleve që ka pasur, në kuptimin e infiktivitetit arsimor, na ka sjellë modele të tilla informale në sistemin arsimor. Më herët, e mbani mend historinë e famshme të universiteteve që u mbyllën dhe që krijuan një trafik alla shqiptar të diplomave dhe të falsifikimit të tyre. Sot mesa duket kjo sëmundje është rikthyer në vendin e origjinës, në Itali, por pa u shkëputur nga networki me vendet rajonale, në mënyrë të veçantë me Shqipërinë.

Rikthimi i këtij lajmi duhet të bëjë njëkohësisht një lëvizje të menjëhershme operuese në sistemin e lartë të arsimit shqiptar, për verifikim, për parjen se deri ku shkon ky trafik që informalizon jo vetëm cilësinë e shkollës, por do të duhet që mekanizmat institucionalë të kontrollojnë me eficencë auditimin e mënyrës sesi funksionon kjo gjë. Duhet të rikthehet dhe njëherë një operacion efektiv. Kjo do të bëjë të mundur që të krijohet një cilësi e re e pretenduar në sistemin e lartë arsimor, në të njëjtën kohë të rikthehet meritokracia, që është e domosdoshme në nivelin e lartë arsimor dhe raporti mes cilësisë dhe pretendimit. Në kushtet që Shqipëria është stigmatizuar si vend që nuk ka ofruar konkurrencën e standardit të arsimit të lartë, duhet që të rrisë vëmendjen, veprimin institucional, pse jo penalitetet juridike dhe administrative, mbi abuzantët dhe operatorët e arsimit të lartë”, tha Çipa.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb