Partia Agrare Ambientaliste ka kërkuar sot disbursimin e fondeve si kompensim financiar paszgjedhor.

Kreu i partisë, Agron Duka, ka theksuar se ndërsa kemi hyrë në vitin zgjedhor dhe partia në pushtet ka mobilizuar çdo burim të mundshëm për fushatën e saj elektorale, PAA-së i është refuzuar financimi modest që i takon sipas ligjit.

Duka ka shtuar se Partia Agrare Ambientaliste mori pjesë në zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023 dhe arriti të sigurojë 2.6% të votave të vlefshme. Sipas nenit 89 të Ligjit Nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, dhe përllogaritjeve të KQZ-së, PAA ka të drejtë për një financim prej 3,544,462 lekësh. Megjithatë, ky detyrim ligjor ende nuk është përmbushur nga qeveria, sipas tij.

Deklarata e plotë:

Përmes kësaj deklarate, dëshirojmë të informojmë opinonin publik mbi qëndrimin diskriminues që po mbahet nga ana e qeverisë dhe organet përgjergjëse për menaxhimin e zgjedhjeve, ndaj Partisë Agrare Ambientaliste. Ndërsa jemi futur në vitin zgjedhor dhe kur partia në pushtet ka angazhuar çdo mekanizëm të pushtetit qëndror e vendor që të punojë për fushatën e saj elektorale, PAA-së i mohohet edhe financimi modest që i takon sipas ligjit.

Partia Agrare Ambientaliste e Shqipërisë ka garuar në zgjedhjet vendore të datës 14 Maj 2023 dhe ka marre nje rezultat zgjedhor 2.6% të votave të vlefshme. Në zbatim të nenit 89, të Ligjit Nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikes se Shqiperise”, sipas përllogaritjeve të KQZ-së, PAA përfiton një financim prej 3,544,462 Lekë.

Por ky detyrim ligjor, ende dhe sot nuk është përmbushur nga qeveria.

Kujtojmë se të gjitha partitë e tjera që kanë plotësuar kushtin e përfitimit të financimit shtetëror, kanë marrë financime jo vetem paszgjedhore, por edhe para zgjedhore.

Në këto kushte, PAA i është drejtuar KQZ-së, e cila pranon se financimi është një e drejtë legjitime, por pohon se “nuk disponojmë fonde të mjaftushme për të përmbushur këtë detyrim dhe se për këtë i jemi drejtuar Ministrit te Financave me shkrese me Nr. 7189 Prot., date 12.10.2023 “Per çeljen e fondeve partive politike si kompensim financiar paszgjedhor”.

Gati 1 vit më pas, problemi është ende i pazgjidhur.

PAA, në kërkim të përmbushjes së këtij detyrimi ligjor, i është drejtuar Z.Engjëll Agaçi, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave si dhe z. Ervin Mete, Ministër i Financave, kur ishte në këtë detyrë. Por sërish asnjë përgjigje!

Ky është një akt i paprecedent në mjedisin politik shqiptar. PAA nuk është një parti një përdorimshe në skenën politike shqiptare. Ajo është një kontribuese serioze dhe dinjitoze, prej 33 vjetësh.

Në kushtet kur qeveria ushqen në mënyrë të ligjshme dhe të paligjshme satelitë politikë të saj, PAA e konsideron këtë sjellje, jo një pamundësi financiare, por një qëndrim të qëllimshëm anti-opozitar. Ne e denoncojmë publikisht këtë sjellje dhe kërkojmë zgjidhjen e këtij problemi sa më parë.

Po kërkojmë vetëm atë që na njeh dhe jep ligji!

Ne e konsiderojmë këtë një shkelje e hapur e barazisë dhe lirisë politike. Për këtë arsye ne do ti drejtohemi gjykatës për të kërkuar financimin e ligjshëm dhe kompensimin e pasojave që kanë rrjedhur nga mos akordimi i financimit në kohë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb