Një ngjarje e rëndë dhe e pazakontë është shënuar sot në Liban, ku qindra luftëtarë të Hezbullahut dhe civilë kanë mbetur të plagosur, disa prej të cilëve në gjendje kritike për jetën.
Mediat ndërkombëtare bëjnë me dije se ushtarëve të Hezbollahut iu kanë shpërthyer radiomarrëset në të njëjtën kohë. Kjo ka bërë që shumë prej tyre të marrin plagë të rënda, duke humbur duart apo gishtat në raste të tjera. Janë regjistruar edhe raste të plagëve fatale, për personat që kanë pasur radiomarrëset pranë organeve jetike, gjatë shpërthimit.
Mediat libaneze raportojnë se shpërthimi i pazakontë mund të jetë sulm i koordinuar i inteligjencës izraelite, që mund të ketë hakëruar rrjetin e radiomarrësve, duke bërë që ato të shpërthejnë njëkohësisht. Por, ky informacion nuk është konfirmuar në mënyrë zyrtare.
Spitalet në Liban, për shkak të shpërthimit, janë mbushur me qindra njerëz të dëmtuar rëndë. Numri i të plagosurve mësohet se ka kaluar 2000. Mes të plagosurve ka qenë edhe ambasadori iranian.
(Balkanweb)