Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, ka folur në studion e emisionit “Open” mbi situatën e tensionuar në veri të Kosovës dhe kërkesat e fundit të Beogradit për rajonin.
Bido ka paraqitur tri mundësi për zgjidhjen e krizës që përfshin tensionet në veri të Kosovës. Sipas tij në horizont paraqiten tre opsione për zgjidhjen e situatës.
Ai u shpreh se mundësia e parë konsiston në riintegrimin e serbëve dhe vazhdimin e “vasalitetit të Vuçiç” në Kosovë, ashtu si Beogradi ka kërkuar. Sipas tij mundësia e dytë është administrimi i veriut nga Kosova me polici, gjykatës dhe forca speciale shqiptare, duke ruajtur kontrollin në këtë pjesë të territorit të saj.
Sakaq, mundësia e tretë sipas Bidos është krijimi i elitave serbe në veri nga ana e Kosovës, duke mundësuar punësimin e serbëve që pranojnë pavarësinë e Kosovës në pozita si në polici ashtu edhe në institucione të tjera.
Ai theksoi se kjo do të ndihmonte në shmangien e perceptimit të kërkesave si të pa-logjikshme nga Vuçiç në sytë e Perëndimit.
“Janë 3 zgjidhje në horizont. Ose serbët do ri integrohen dhe vasaliteti i Vuçiçit do të jetë aty në Kosovë ose Kosova do vazhdojë të thotë se do administrojë me polici në veri, me gjykatës, policë shqiptarë dhe forca speciale. Ose alternativa e tretë do jetë krijimi i elitave serbe në veri që të jetë mundësia të punësohen serbët që njohin pavarësinë e Kosovës në pozicionet e policisë dhe të tjera që kjo të mos duket si kërkesë e logjikshme në sytë e perëndimit nga Vuçiçi. Kjo koha që i lë Kurti dhe ndihma që i jep Vuçiçit është ndihmë e pastër duke e bërë të duket i pastër në sytë e perëndimit”, tha ai.