Prodhuesi tajvanez i lidhur me beepers që shpërthyen si pjesë e një sulmi vdekjeprurës dhe të paprecedentë në Liban kundër Hezbollahut, ka thënë se pajisjet janë prodhuar nga një kompani në Evropë, pasi grupi militant fajësoi Izraelin dhe u zotua për sulme hakmarrëse.

Potencialisht mijëra beepers shpërthyen nga distanca dhe njëkohësisht në të gjithë Libanin, duke vrarë të paktën nëntë njerëz dhe duke plagosur pothuajse 2750 persona. Ministri i shëndetësisë i Libanit, Firass Abiad, tha se një vajzë e re ishte në mesin e të vdekurve dhe se më shumë se 200 njerëz kishin lëndime kritike.

Hezbollahu akuzoi Izraelin se qëndronte pas shpërthimeve dhe tha se do të merrte “dënimin e tij të drejtë” dhe se po kryente një “hetim sigurie dhe shkencore” për shkaqet e shpërthimeve.

Ministri libanez i Informacionit Ziad Makary e dënoi sulmin si një “agresion izraelit”. Ushtria izraelite nuk ka komentuar drejtpërdrejt mbi shpërthimet, por tha se komandantët e lartë kishin bërë një vlerësim të situatës “duke u fokusuar në gatishmërinë si në sulm ashtu edhe në mbrojtje në të gjitha arenat”.

Imazhet e beepers u shfaqën më pas me ngjitëse në anën e pasme që duken në përputhje me pagerët e bërë nga kompania tajvaneze Gold Apollo, sipas analizës nga Reuters.

Të mërkurën, themeluesi i kompanisë Hsu Ching-Kuang, mohoi se kishte bërë beepers, duke thënë se ato ishin prodhuar nga një kompani në Evropë që kishte të drejtën të përdorte markën e saj.

“Produkti nuk ishte i yni. Vetëm se kishte markën tonë në të”, tha ai, duke shtuar “ne jemi një kompani e përgjegjshme. Kjo është shumë e turpshme”.

Beepers shpërthyen në Libanin jugor, periferitë jugore të Bejrutit të njohura si Dahiyeh dhe luginën lindore Bekaa – të gjitha bastionet e Hezbollahut.

Një zyrtar i Hezbollahut, duke folur në kushte anonimiteti, tha se shpërthimi ishte “shkelja më e madhe e sigurisë” e grupit që nga shpërthimi i konfliktit në Gaza më 7 tetor, kur Hamasi nisi sulmet në Izraelin jugor, duke vrarë 1200 njerëz dhe duke marrë peng rreth 250 njerëz.

Jonathan Panikoff, ish-zëvendës oficeri i inteligjencës kombëtare të qeverisë amerikane për Lindjen e Mesme, tha se “ky do të ishte lehtësisht dështimi më i madh i kundërzbulimit që Hezbollahu ka pasur në dekada”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb