Policia e Shtetit, disa ditë më parë, lajmëroi se qytetarët shqiptarë duhet të kenë kujdes gjatë përdorimit të aplikacionit “PLINKO”. Ofruesit e lojërave në këtë platformë kërkojnë numrat e llogarive bankare. Kjo është një skemë për marrjen e të dhënave të llogarive bankare, nga të cilat mund t’iu merren shuma monetare.
Në lidhje me mashtrimet online, ekspertë të fushës dhanë mendimet e tyre. Eksperti i IT Elton Heta tha se një aplikacion mashtrues është i vështirë të gjurmohet. Ndërsa, juristi Redi Ramaj tha se mashtruesit online duhet që të denoncohen dhe të arrestohen.
Elton Heta, ekspert i IT: Në këto kohë, një aplikacion po shpërndahet në masë. Quhet aplikacioni PLINKO dhe që është një mashtrim. Aplikacioni është shumë i vështirë që të gjurmohet. PLINKO qarkullon në gjithë botën. Për Shqipërinë po bëjnë fushatë me buxhet të caktuar dhe për një vend tjetër bëjnë fushatë me X buxhet.
Redi Ramaj, jurist: Kemi të bëjmë me një fenomen të ri për Shqipërinë, ku përdoret teknologjia për mashtrime ose për përpjekje për të marrë pasurinë. Duke qenë se rrimë shumë online, mund të biem pre e mashtrimeve. Kemi të bëjmë me grupe personash, që godasin individë të caktuar. Aplikacioni PLINKO është bërë me qëllim që t’ju marrë paratë qytetarëve. Policia duhet të ketë strukturë të veçantë, që të godasë të tilla mashtrime. Kodi Penal dënon krimin kibernetik, po zhvillohet legjislacioni për krimet online. Tashmë ka dënime të larta për këta individë, që përdorin këto mekanizma për pasurim.
A është e vështirë që të arrihet tek ata që bëjnë abuzime? Nëse janë në Shqipëri, mund të zbulohen më lehtë. Në SHBA ka struktura që mund të zbulojnë mashtrimet online. Policia e Shtetit shqiptar të bashkëpunojë me organizatat ndërkombëtare policore për të tilla raste. Mashtrimet online të denoncohen dhe të parandalohen në kohë.
(Balkanweb)