Pasi i dështoi përpjekja që veriun ta mbajë në “staus quo” duke nxitur edhe tensione, tani kërkesat e Aleksandar Vuçiqit për kthimin e serbëve në institucione po shihen si përpjekje për ta rimarrë kontrollin e veriut përmes serbëve luajalë. Eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, thotë se serbët duhet të rikthehen në institucione, por jo sipas mënyrës që po kërkon Beogradi

Kërkesën e Serbisë për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, e sheh si përpjekje të Aleksandar Vuçiqit për rikthimin e kontrollit mbi veriun e populluar kryesisht me serbë.

Sipas Serwerit, kjo po bëhet me qëllimin për ta bllokuar veriun dhe për ta mbajtur gjendjen e status quos.

“Mendoj se ai (Vuçiqi) e ka kuptuar që largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës e ka reduktuar ndikimin e Serbisë në Kosovë dhe tash institucionet e Prishtinës po rekrutojnë njerëz të rinj, serbë që supozohet se nuk janë besnikë ndaj Beogradit, pra Beogradi nuk ka dashur që ata t’u bashkohen institucioneve. Tani po përpiqet të rifitojë pozitat e saj në veri të Kosovës, duke kërkuar që njerëzit të cilët janë besnikë ndaj Beogradit të kthehen në institucione, për të bllokuar përparimin e mëtejmë të Prishtinës në futjen e serbëve që nuk janë besnikë ndaj Beogradit brenda institucioneve”, deklaron ai.

Serwer shton se nuk është kundër rikthimit të serbëve, porse kjo duhet bërë sipas ligjeve të Kosovës.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme, që ajo për të cilën janë dakorduar duhet të ndodhë, por mendimi se Beogradi duhet të zgjedhë serbët që të kthehen në institucione është i gabuar. Është Prishtina që zgjedh serbët të cilët duhet të kthehen në institucione. Komunat në veri kanë nevojë për kryetarë komunash që janë të legjitimuar në mënyrë demokratike, kështu mendoj për kryetarët aktualë. Është mjaft legjitime të shpresojmë se do të ketë zgjedhje të reja në veri. Por ai që pengoi zgjedhjet e reja në veri ishte Beogradi pasi i udhëzoi serbët të mos votonin për largimin e kryetarëve joserbë”, thotë ai.

Edhe kthimin e serbëve në institucionet e tjera, si polici, gjyqësor e prokurori, Serwer e cilëson hap të mirë në drejtimin e duhur.

“Por nuk duhet të jetë Beogradi ai që zgjedh se cilët serbë të kthehen. Duhet të jetë Prishtina dhe nëse Prishtina ka dyshime për besnikërinë e disa serbëve për të cilët Beogradi dëshiron të kthehen në institucione, këto shqetësime duhet të merren parasysh me një proces të drejtë dhe të përputhshëm. Ata që u tërhoqën me urdhër të Beogradit duhet të kenë diçka për të dëshmuar nëse duan të rikthehen”, deklaron ai.

Në një konferencë për media javën e kaluar, presidenti i Serbisë, Vuçiq, kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve në veriun e Kosovës, kthimin e serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri dhe kthimin e gjyqtarëve e prokurorëve serbë në funksionet e tyre gjyqësore.

Ndër të tjera, Serbia po ashtu ka kërkuar tërheqjen e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga bazat dhe pikat e kontrollit në atë pjesë.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: