Koalicioni i djathtë prej katër partish në Hagë ka nisur luftën për një politikë shumë më të rreptë për azilin. Por kërkesa e dorëzuar në Komisionin e BE-së nuk ka shumë shanse për sukses.

Holanda i ka kërkuar Komisionit të BE-së që të tërhiqet nga rregullat e BE-së për azilin. Ministrja për Azilin, Marjolein Faber, e bëri të ditur këtë në platformën X. “Ne duhet të vendosim përsëri vetë për politikën tonë të azilit.” – shkruan ajo. Sipas Faber qeveria e djathtë dëshiron “ta reduktojë në mënyrë drastike” hyrjen e azilkërkuesve dhe të emigrantëve të parregullt.

Sipas ministres kjo është e nevojshme “për të përmbushur detyrat tona kushtetuese si sigurimi i strehimit, kujdesit shëndetësor dhe arsimit”.

“Presion ndaj mënyrës sonë të bashkëjetesës”

Edhe mbreti i Holandës Willem-Aleksander shpalli në emër të kabinetit të ri nën kryeministrin Dick Schoof një politikë “më të shpejtë” dhe “më të rreptë” azili në vendin e tij . Emigracioni po ushtron “presion ndaj mënyrës sonë të bashkëjetesës”, tha Willem-Aleksander gjatë fjalimit tradicional mbretëror, në të cilin ai prezaton përmbledhtazi prioritetet e qeverisë për vitin e ardhshëm.

Megjithatë sipas ekspertëve duket e pamundur që Holanda të ketë sukses me kërkesën e saj drejtuar Brukselit për t’u tërhequr nga rregullat e BE-së për azilin. Për të ashtuquajturin opt-out duhet të bien dakord të 27 shtetet e BE-së, të cilat në vitin 2023 kanë rënë dakord për një reformë të sistemit të azilit në mbarë BE-në (CEAS) . Prandaj pritet që Komisioni i BE-së të mbajë qëndrim kritik ndaj planeve të qeverisë holandeze, sepse largimi i një vendi të caktuar nga vendimet e përbashkëta mund ta rrezikojnë stabilitetin e të gjithë Bashkimit Evropian./DW

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb