Parlamenti Evropian në një mbledhje në Strasburg, vendosi të njohë liderin e opozitës Edmundo Gonzalez Urrutia si presidentin legjitim, të zgjedhur në mënyrë demokratike të Venezuelës.
Në një rezolutë të miratuar të enjten më 19 shtator me 309 vota pro, 201 kundër dhe 12 abstenime, Parlamenti “dënon me forcë dhe refuzon plotësisht mashtrimin zgjedhor të orkestruar nga Këshilli Kombëtar Zgjedhor i kontrolluar nga regjimi, i cili refuzoi të bënte publik rezultatin zyrtar”. Eurodeputetët njohin Edmundo González Urrutia si presidentin legjitim dhe të zgjedhur në mënyrë demokratike të vendit dhe María Corina Machado si udhëheqësen e forcave demokratike në Venezuelë. Ata gjithashtu dënojnë me forcë lëshimin e një urdhër-arresti nga qeveria e Venezuelës për González.
Eurodeputetët theksojnë se pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga komuniteti ndërkombëtar, regjimi i Venezuelës ka dështuar të respektojë Marrëveshjen e Barbados të vitit 2023 midis qeverisë Maduro dhe opozitës në lidhje me zgjedhjet presidenciale, duke bërë të pamundura zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Eurodeputetët theksojnë se raportet nga misionet ndërkombëtare të vëzhgimit të zgjedhjeve thonë qartë se zgjedhjet presidenciale në Venezuelë të 28 korrikut 2024 nuk përmbushën standardet ndërkombëtare të integritetit zgjedhor. Ata dënojnë gjithashtu në termat më të ashpër të mundshëm vrasjet, ngacmimet, shkeljet dhe arrestimet e kryera kundër opozitës demokratike, popullit venezuelian dhe shoqërisë civile, duke bërë thirrje për t’i dhënë fund shkeljeve sistematike të të drejtave të njeriut.
Parlamenti i kërkon BE-së të rivendosë sanksionet kundër anëtarëve të Këshillit Kombëtar Zgjedhor. Ai bën thirrje për zgjatjen e sanksioneve të regjimit dhe për zgjerimin e fushës së tyre për të aplikuar sanksione të synuara përmes Regjimit Global të Sanksioneve të të Drejtave të Njeriut të BE-së kundër Nicolás Maduro dhe rrethit të tij të ngushtë.
Eurodeputetët mirëpresin rolin që po luajnë qeveritë e Brazilit, Kolumbisë dhe Meksikës dhe u bëjnë thirrje aktorëve rajonalë dhe komunitetit ndërkombëtar që të ushtrojnë presion maksimal mbi regjimin e Maduros dhe rrethit të tij të ngushtë për të pranuar vullnetin demokratik të popullit venezuelian, duke njohur Edmundo González Urrutia si President legjitim dhe i zgjedhur në mënyrë demokratike. Nëse kjo nuk ndodh, Parlamenti paralajmëron se do të pasojë një eksod i ri emigrantëve në vendet e tjera të rajonit, i ngjashëm me atë që ka bërë që afër tetë milionë venezuelas të largohen nga vendi vitet e fundit.
(Balkanweb)