Në fund të fundit nuk mund ta le pa thënë se kjo është historia e jetës sime, siç është historia e Fuatit, e Luftarit, e Land Roshit, e Rik Hoxhës, e Sotirit…
Është historia e një zone të vuajtur, ku më degdisi jeta dhe ku fati më përkëdheli duke më dërguar të rritem…Është histori karakteresh, legjendash, veprash fisnike dhe banalitetesh…
E gjitha kjo ndodhte në një vend ku ngrohte zjarri i humorit, ku shkrepëtinin xixat e fantazisë së Nestor Pogaçes; ku Fuati më sillte rrëfenja myzeqarësh që i falnin vite jete Stalinit të sëmurë, apo se si një fis i tërë vaksinohej me një gjilpërë të vetme, pa e ndërruar dhe pa e zhytur as në alkol; ku Ilir Bezhani më sillte pushimet në Fterrë të shoferit të kryeministrit e ku Luftar Paja shkëlqente me imitimet e fshatarëve mallakastriotë dhe lebër; ku aktorët merrnin dashurinë time, dhe me të dashuronin edhe ata Çehovin, Nesinin, Mark Tuenin, Hashekun dhe Buxatin…
Ishte histori e një skene, ku Xhuljeta ime në moshën 25 vjeçe debutoi me rolin e një plake të zamanit; e një mjedisi, ku jo vetëm Lad Muzha, por të gjithë aktorët e trupës teatrore nisën të ndjenin etjen që të bashkoheshin me Todin, Arqilenë, Sotirin, Hasanin dhe Fatmirin; historia e një qendre pune, ku organizata bazë e partisë ishte grupimi më i pakulturuar, palèpa, kishte dhe të vetëndjerin sikur udhëhiqte!.. Dhe bile që ishte autorja e sukseseve, frymëzuesja e repertorit dhe arritjeve aktoriale, muzikore dhe vokale!…
Ishte vendi ku Maku, dramaturgu i teatrit dhe Todi, sekretari i asaj organizate, pa bujë dhe pa buçima, në konflikte i dilnin krah Pëllumb Kullës me cene në jetëshkrim, kundër shokut të tyre të organizatës dhe e ndjenin se poezia e rruzullit fshihej më shumë tek skeçet me karaktere se sa në buletinet për përdorim të brendshëm që u vinin nga shkallët e larta të partisë.
Aty sekretarët e Komitetit të Partisë e kishin frikë partinë e tyre më shumë seç e kishin njerëzit e thjeshtë.
Vënd i bekuar!…
Sensi i humorit lulëzonte tek punëtorët e skenës, tek orkestrantët, marangozët, kaldaistët, aq sa njëri prej tyre, Leu Lipe, shkëlqeu në popullaritet dhe u bë Artist i Merituar i Republikës.Mbi atë skenë mbretëroi pa u shuar asnjëherë pranvera e haresë, se aty puna nuk ishte lodhje, por dashuri dhe frymëzim.
Aty morën jetë figura artistike madhore, myzeqarët e Fuatit, Çoboja, pleqtë dhe ballistët e Luftarit, zëri i dytë humoristik i Hasanit, batutat e spërkatura me nëntekste të qëlluara të Todit, karakteret temperamentalë të Xhuljetës, prurjet mjeshtërore të Fatmirit, portretet episodikë, që Sotiri jo vetëm nuk i përbuzi, por i gatoi me talent të paparë.
Ishte vendi, ku si rrallëkund, në pikë të agut të mëngjezit, u ndezën zjarre pranë biletarisë, në pritje të hapjes së saj orë më vonë, për të mundur të shihnin Canen e pikëlluar pasi i kishin vjedhur lopën, Lipe Shtogun, Dasmën e Malos, Selon që ngrinte në qiell veten më shumë se Belulin. Bileta për në mbrëmje, për të shijuar ironitë e zonjave buzëmbledhura, që pikturonin Hajria me Natashën, në ato herë kur ato vinin mysafire në përbërje të trupës, monologjet e Vasos dhe kupletet e qëlluara të Rik Hoxhës…
Do të vinin për të shijuar zërat e Ëngjëllushes, Lefterisë, Sofikës, Brunës, Timos dhe atë prej tenori të Todit; pianon e Marie Rafaelit, fisarmonikën e Isufit, flautin e Mitit saksin e Llazit, trombën e Janit, kitarën e Sandrit.
Edhe sidomos për të ndjekur rritjen e Rikut, i cili që nga Konservatori solli kërkimet novatore, orkestrimet dhe ekzekutimet brilante vetjake në dy instrumenta, saks dhe klarinetë.
Ata kanë qenë vite vetëm me pranvera!…
Faleminderit fatit dhe njerëzve të mirë që ishin të shumtë E shenjtë bukuria e asaj jete, ku penat më të mira humoristike të vendit synonin interpretime të goditura. Pra, fluturonin drejt Fierit faqet e arta letrare të Kallamatës, Buxhelit, Musarait, Tasim Alisë, Dritëroit, Viljamit… Dhe ku vendasit sollën ajkën e shkrimeve të tyre, Ndini, Llazoja, Nevruzi, Tashkoja… Faqet e vlerta të tyre përzgjidheshin dhe kalonin filtrat e lartë të pjekurisë letrare të Laços dhe finesës poetike të Makut.
Vërtet, vërtet! Është e pabesueshme se si njëzet vite nga këta të mijtë, të tetëdhjetë stinët i patën vetëm pranvera!
Nuk ta beson kush! Dhe u jap të drejtë të mos ma besojnë!..