Autoritetet japoneze u kërkuan sot banorëve në prefekturën Ishikawa (qendrore) që të largohen urgjentisht nga shtëpitë e tyre për shkak të përmbytjeve pas shirave të dendur.
Rreth 30,000 banorë të qyteteve Uajima dhe Suzu u urdhëruan të largoheshin menjëherë nga zona, thanë zyrtarët lokalë.
Tre lumenj që rrjedhin përmes tij kanë vërshuar dhe përmbytjet po prekin komunitetet aty pranë, tha një zyrtar për AFP, duke shtuar se një vlerësim i dëmeve është duke u zhvilluar.
Agjencia Meteorologjike e Japonisë vendosi prefekturën Ishikawa në gatishmëri maksimale, duke paralajmëruar për rreziqe “vdekjeprurëse”.
Pamjet e transmetuara nga transmetuesi publik japonez NHK tregojnë rrugë të zhytura nën ujë në Uajima.
Uajima dhe Suzu janë ndër qytetet më të goditura nga tërmeti 7.5 ballë i 1 janarit në Japoninë qendrore, i cili la 236 të vdekur dhe dëme të shumta.
Rajoni është ende duke u rikuperuar nga tërmeti, i cili rrafshoi ndërtesat, shkatërroi rrugët dhe shkaktoi një zjarr të madh.
Nivelet e reshjeve në Japoni kanë thyer rekorde vitet e fundit, duke shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje dheu dhe në disa raste duke marrë jetë njerëzish.
Ekspertët theksojnë se ndryshimet klimatike po intensifikojnë shpeshtësinë, ashpërsinë dhe natyrën e paparashikueshme të këtyre fenomeneve.