Derbi i “Madonnina-s” ndez Serie A, me Inter dhe Milan që si gjithnjë premtojnë spektakël. Dy ekipet e Milanos vijnë në kushte krejtësisht të ndryshme në këtë derbi të parë sezonal.

Ekipi i Simone Inzaghi-t ka fituar 6 derbet e fundit, kërkon të ruajë këtë trend, por mbi të gjitha kërkon fitoren për të përforcuar statusin e tyre si favorit. Zikaltërit zhvilluan një super sfidë ndaj Man.City duke fituar edhe më shumë besim. Trajneri Inzaghi ka në dispozicion grupin e plotë në këtë përballje pasi edhe Dimarco ka kaluar shqetësimin që kishte në kofshën e djathtë. Nga minuta e parë pritet të rikthehet edhe kapiteni Lautaro Martinez. Diskutimi është ndryshe në radhët e Milanit.

Humbja e fundit kundër Liverpool trazoi edhe një herë ambientin në shtëpinë e “djallit”, duke vendosur ndjeshëm në dyshim të ardhmen e trajnerit Fonseca. Portugezi është në “fije të perit”, derbi mund të vendos përfundimisht të ardhmen e tij pasi edhe Ibrahimovic po studion terrenin për të gjetur një pasues të shpejtë. Në tryezën e Ibrës dhe në media qarkullojnë emra të shumë, nga Terzic e deri te Tuchel, por këto janë opsione me kosto duke bërë që Igor Tudor të jetë zgjedhja e parë nëse gjërat nuk ndryshojnë as në derbi.

Fonseca, por dhe tifozët, kërkojnë që yjet e këtij ekipi, lojtarë kyç si Hernandez dhe Leao të ngrihen në nivele të larta, të bëjnë diferencën. Lajmi i mirë është rikuperimi i portierit Mike Maignan i cili pritet të zbres në fushë nga minuta e parë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb