Lista e Rusisë me vendet që kanë një “sjellje shkatërruese në kundërshtim me vlerat shpirtërore dhe morale ruse”, u bë publike nga qeveria, pas një vendimi të kryeministrit rus Mikhail Mishustin.

Lista është një përsëritje e listës së vendeve “jomiqësore” ndaj Rusisë, siç është formuar pas vendosjes së sanksioneve të ndërsjella. Në listë janë përfshirë pothuajse të gjitha vendet e BE-së, përveç Hungarisë dhe Sllovakisë, si dhe NATO-ja, përveç Turqisë.

Kjo listë përfshin gjithsej 47 vende dhe territore, duke përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe të gjitha vendet e të ashtuquajturit “koalicioni perëndimor”, pra Japonia, Australia, Zelanda e Re, Koreja e Jugut, por edhe Tajvani.

Urdhri hyn në fuqi ditën e publikimit zyrtar.

Lista e vendeve jomiqësore

Rusia ka gjithashtu lista të tjera të shteteve jomiqësore për përdorimin e kundërmasave diplomatike dhe ekonomike. Lista e parë u miratua në pranverën e vitit 2021 dhe përfshinte vetëm dy vende – Shtetet e Bashkuara dhe Republikën Çeke. Për ta u vendosën kufizime në punën e misioneve diplomatike.

Lista e dytë u miratua në mars 2022 dhe u përditësua në korrik dhe tetor të të njëjtit vit. Transaksionet me shtetet e përfshira në këtë listë duhet të kryhen në mënyrë të veçantë. Aktualisht, kjo listë përfshin 46 vende dhe territore, të gjitha vendet anëtare të BE-së, si dhe Ukraina, Mali i Zi, Zvicra, Shqipëria, Andorra, Islanda, Lihtenshtajni, Mbretëria e Bashkuar, Monako, Norvegjia, San Marino, Maqedonia e Veriut, Japonia, Koreja e Jugut, Australia, Mikronezia, Zelanda e Re, Singapori dhe Tajvani (i konsideruar si një territor i Kinës, por që nga viti 1949 qeveriset nga administrata e saj).

Sipas agjencisë shtetërore ruse TASS duke cituar burime, lista erdhi si vazhdim i një dekreti të Vladimir Putin, sipas të cilit Moska tani e tutje do të ofrojë mbështetje humanitare, si dhe lehtësira për lëvizjen dhe vendosjen e tyre në Rusi për qytetarët e këtyre vendeve, të cilët “ndajnë vlerat tradicionale shpirtërore dhe morale ruse”.

Dekreti i presidentit rus parashikon një procedurë të thjeshtuar për ata që “nuk pranojnë qëndrimet destruktive neoliberale në vendet e tyre, të cilat janë në kundërshtim me vlerat tradicionale”, për t’u zhvendosur në Rusi. Sipas burimeve diplomatike ruse, numri i qytetarëve perëndimorë që përfitojnë nga ky proces është “tashmë disa dhjetëra”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb