Kryeministri Edi Rama ka rrëfyer për New York Times se Shqipëria po planifikon një shtet të ri mysliman brenda Tiranës.
Kreu i qeverisë ka deklaruar se dëshiron t’u japë anëtarëve të sektit bektashi enklavën e tyre të stilit të Vatikanit si një mënyrë për të promovuar tolerancën fetare.
Kryeministri Rama tha se në të ardhmen e afërt do të shpallë planet për entitetin, që do të quhet Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi.
Në intervistën për NYT, Edi Rama tregoi se qëllimi i shtetit të ri ishte të promovonte një version tolerant të Islamit me të cilin krenohet Shqipëria. “Ne duhet të kujdesemi për këtë thesar, që është toleranca fetare dhe që nuk duhet ta marrim kurrë si të mirëqenë,” tha ai.
“Një mikroshtet i moderuar islamik”, tha kryeministri, “do të dërgonte një mesazh: ‘Mos lejoni që stigma për muslimanët të përcaktojë se cilët janë muslimanët’.”
Territori i shtetit të ri islamik të propozuar është një kompleks në një lagje banimi me qira në Tiranën lindore, raporton NYT, duke shtuar se është sa vetëm një e katërta e madhësisë së qytetit të Vatikanit, aktualisht vendi më i vogël në botë, i qeverisur nga Papa, një monark absolut.
“Deri më tani, z. Rama, një katolik jo praktikant, tha se vetëm disa nga ndihmësit e tij më të afërt e dinë për planin dhe aleatët e NATO-s, si Shtetet e Bashkuara, nuk janë konsultuar”, shkruan media amerikane.
Një vend që ka shumë pak gjasa ta njohë atë është Irani, i cili ka shumë ndjekës kryesisht të fshehtë të islamit sufi, duke përfshirë disa bektashinj, por e sheh veten si rojtar i Islamit shiit, raporton New York Times.
“Iranianët janë sinqerisht mendimi im i fundit”, tha Rama, duke vënë në dukje se Shqipëria i ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin në vitin 2022, pas sulmit kibernetik ndaj qeverisë shqiptare dhe rrjeteve bankare.
Kreu i qeverisë u shpreh se kufijtë e shtetit të propozuar do të përcaktohen nga pronat e Bektashinjve. “Ajo që u sekuestrua nuk është pjesë e kësaj”, tha Rama për median amerikane.
Ai theksoi se grindjet mbi pronësinë e pronave, vetëm do të minonin qëllimin e shtetit si një “model bashkëjetesë”.
“Kjo nuk është një çështje pronësie, por një çështje shpirtërore”, deklaroi kryeministri në intervistë.
Megjithatë, gjatë intervistës, Rama pranoi se krijimi i një shteti sovran islamik në Tiranë do të kërkonte kohë. “Ndoshta të gjithë do të thonë: ‘Ky është i çmendur’”, shprehet kryeministri.
Por, ai shtoi: “Këtë e kanë thënë shumë herë më parë. Nuk më intereson. Gjëja e rëndësishme, çmenduri apo jo, është të luftosh për mirë.”