Trajneri i Flamurtarit, Andrea Agostineli, kërkon vazhdimësinë e rezultateve pozitive edhe në ndeshjen e javës së pestë me Apoloninë, që e luajnë sot, ora 16:00 në stadiumin e Vlorës.

Italiani i pankinës vlonjate ka një apel për futbollistët, që sipas tij ata duhet të jenë vigjilentë në çdo ndeshje. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” në prag të kësaj sfide, trajneri Agostineli thekson se skuadra duhet të përmirësohet edhe më shumë, pavarësisht se e komplimenton për atë çfarë ka dhënë deri më tani. Për teknikun italian, ekipi po funksionon dhe se po merr përgjigje pozitive edhe nga lojtarët që kanë ardhur me vonesë, edhe pse nuk e kanë kapur formën. Agostinelin nuk e shqetëson aspak mungesa e portierit Stivi Frashëri, pasi ai ka shumë besim tek Ariol Kaloshi, por edhe te futbollistët e tjerë, që do të aktivizohen në këtë ndeshje.

Agostineli, si është atmosfera në skuadër pas fitores së radhës me Kukësin?

Atmosfera është shumë e mirë dhe pozitive. Ishte një fitore plotësisht e merituar nga ana jonë. Ne e dominuam të gjithë ndeshjen në Kukës dhe gabimet ishim shumë të vogla. Pjesa e parë e asaj ndeshje ishte ndër më të mirat që ne kemi realizuar deri më tani, që nga ardhja ime në Vlorë. Kishim shumë raste dhe ndeshjen mund ta mbyllnin që në pjesën e parë. Kjo skuadër po prodhon.

Çfarë prisni të dielën nga ndeshja me Apoloninë?

Pres atë që duan dhe presin të gjithë. Ne duhet që të vazhdojmë të luajmë siç po bëjmë. Normalisht, duhet që paralelisht me rezultatet edhe të përmirësohemi.

Jeni i kënaqur me reagimin e skuadrës në këto ndeshje?

Jam i kënaqur me skuadrën, si me lojën ashtu edhe me rezultatet që kemi arritur në tri ndeshjet e fundit, të cilat i kemi fituar. Gjithsesi, nuk duhet që të ulim vigjilencën dhe këtë gjë u kam kërkuar futbollistëve. U kam thënë që të vijojnë në këtë rrugë dhe të tregohen shumë të kujdesshëm.

Nga ndeshja me Apoloninë dhe në vazhdim do të duhet të keni një mungesë të madhe, portierin Stivi Frashëri. Ju shqetëson kjo gjë?

Jo nuk më shqetëson aspak. Në skuadër kemi lojtarë me shumë eksperiencë dhe kam besim se edhe portieri që do ta zëvendësojë Frashërin do të bëjë më të mirën. Nuk jam aspak i shqetësuar.

Në fakt, keni edhe disa lojtarë të tjerë të dëmtuar dhe jo në formën e duhur, po këta përbëjnë problem?

Normalisht që kemi disa lojtarë jashtë forme, pasi na janë bashkuar me vonesë, por ata kanë bërë mirë. Nuk më shqetëson aspak gjendja e tyre, pasi do të rikuperohen dhe patjetër do të arrijnë formën e tyre. Pavarësisht se nuk janë në 100% e tyre ne kemi arritur që në tre ndeshje kemi pësuar vetëm një gol me penallti. Kjo do të thotë që skuadra po funksionon.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb