ELBASAN
Këtë fundjavë u organizua Festa e Byshekut e cila është një festë tradicionale në Njësinë Administrative Shushicë e Bashkisë së Elbasanit e cila zhvillohet çdo vjeshtë.
Ajo ka marrë jetë nga mjedisi piktoresk dhe ngjyrat e natyrës së mrekullueshme duke u kthyer tashmë në një traditë të përvitshme nga Bashkia e Elbasanit duke e mbushur fundjavën e tretë të Vjeshtës me aktivitete të larmishme. Nën kujdesin e kryetarit të bashkisë, Gledian Llatja, kjo festë mblodhi gjatë të Shtunës së 22 Shtatorit 2024 të rinj e të moshuar si edhe shumë vizitorë e të apasionuar pas destinacioneve turistike .
Në këtë festë, pjesëmarrësit shijuan një panair të veçantë, ku prodhimet tradicionale të zonës, punimet artizanale dhe veshjet karakteristike të Shushicës u prezantuan denjësisht me detajet e rralla që nuk i gjen askund tjetër. Gratë dhe vajzat e zonës edhe njëherë u dalluan për mjeshtërinë e tyre në përgatitjen e aksesorëve të punuar me dorë, duke sjellë gjallëri edhe më shumë ngjyra në atmosferën e gëzueshme të festës së Byshekut.
Kryebashkiaku Gledian Llatja vlerësoi rëndësinë e kësaj feste, duke theksuar se:
“Bysheku nuk është vetëm i Shushicës, por edhe i Elbasanit. Bysheku është i të gjithëve sepse tradicionalisht, gjatë gjithë ekzistencës së tij, ka qenë i pandashëm nga Elbasani. Në fakt, kjo festë është ndër më të bukurat e Njësisë Administrative Shushicë dhe ne do të vazhdojmë t’i pasurojmë këto festa në të ardhmen dhe ta pasurojmë këtë trashëgimi. Ndaj kam një një falenderim të përzemërt për të gjithë miqtë e ardhur në këtë festë, si edhe për turistët, fëmijët dhe të rinjtë që i japin jetë kësaj tradite” – tha Llatja.
Ndërsa deputetja e zonës, Desantila Tahiraj vlerësoi bukurinë e natyrës përreth, të pasur me rrapet shekullore dhe burimet ujore që karakterizojnë këtë zonë turistike. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e rrugës antike “Via Egnatia”, që kalon pikërisht në këtë rajon. Deputetja Evis Kushi nga ana e saj vlerësoi virtytet e rralla dhe mikpritjen e banorëve të kësaj zone. Detyra jonë tha deputetja Evis Kushi është ta ruajmë dhe ta promovojmë këtë zonë si një pikë turistike të rëndësishme për Elbasanin dhe mbarë vendin.”Deputeti Florenc Spaho përmendi me krenari bukurinë natyrore të Bushekut, duke e krahasuar atë me “një Lugano të vogël”, dhe e quajti këtë vend një dhuratë të vërtetë nga Zoti për banorët e Bashkisë së Elbasanit.
Atmosfera e ngrohtë, ndërthurja e traditës me natyrën dhe aktivitetet festive, e kanë kthyer Festën e Bushekut në një ngjarje të rëndësishme për komunitetin dhe vizitorët. Bysheku me rrapet shekullore është një nga pikat historike e turistike më të bukura të Elbasanit.
Bysheku është një nga vendet më të preferuara dhe ndodhet në jug të qytetit të Elbasanit , në luginën e Shkumbinit në të majtë të rrjedhës së tij. Është një pikë turistike me burime të shumta ujore, ku veçohet një burim karstik, me prurje 70 litra në sekondë që del rrëzë një shkëmbi gjigant. Kjo pikë ndodhet në fshatin Shushicë të Njësisë Administrative me të njëjtin emër dhe ndodhet rreth 9 km larg qytetit të Elbasanit.
Bysheku me madhështinë e tij është një destinacion i rëndësishëm për turizmin dhe është një park i rrallë me monumente natyrore.Shushica e Elbasanit ku bën pjesë edhe Bysheku është pjesë e programit “100 fshatrat” për shkak të potencialit të jashtëzakonshëm turistik që ka dhe kjo mban gjallë shpresat e të gjithëve që në një të ardhme të afërt Byshekut do t’i rikthehet shkëlqimi i munguar .