Socialdemokratët morën frymë të lehtësuar. SPD doli forca kryesore zgjedhjet e landit Brandenburg, por me rezultat të ngushtë kundrejt AfD. Krijimi i koalicionit mbetet i vështirë.

Një rezultat shumë i ngushtë, megjithatë SPD doli forca kryesore në Brandenburg duke marrë 30,9% të votave, kurse AfD u rendit e dyta me 29,2%, sipas rezultateve paraprake të landit. Shumë politikanë, edhe nga SPD ia adresojnë fitoren e Partisë Socialdemokrate, kryeministrit popullor të landit, Dietmar Woidke. Woidke mundi të fitonte pikë për SPD, që në nivel federal shënon rënie të vazhdueshme. Megjithatë mbetet i vështirë krijimi i koalicioneve. Sipas rezultateve të fundit të ZDF, SPD dhe CDU së bashku do të kishin bashkë 44 vende por iu mungon një vend për të arritur shumicën e 45 vendeve në parlamentin e landit. Megjithatë kryeministri i landit, Woidke tha, se do të fillojë bisedimet me CDU për formimin e qeverisë së re. Edhe Aleanca Sahra Wagenknecht është kandidate për bisedime koalicioni.

Të Gjelbrit me 4,1% pritën të hynin në parlamentin e ri, me një mandat të drejtpërdrejtë, por kjo nuk u realizua. Në orët e vona u bë e qartë se Të Gjelbrit nuk janë pjesë e parlamentit të ri të Brandeburgut.

Woidke luajti kartën e fundit – popullaritetin e tij
Kryeministri i Brandenburgut, Woidke është mjaft popullor në land. Madje sipas anketimeve edhe votues nga CDU dhe Aleanca Sahra Wagenknecht e vlerësojnë socialdemokratin si kryeministër të mirë. Në barometrin parazgjedhor të ZDF-së më 19 shtator, 59% e votuesve e dëshironin atë si kryeministër. Në fund Woidke i ktheu zgjedhjet në një duel mes partisë së tij SPD dhe partisë së ekstremit të djathtë, AfD. Nëse AfD fiton, ai tha se nuk do të jetë më në dispozicion për një qeveri të re.

Të dielën Woidke bëri të ditur pas fitores, se qëllimi i tij ishte të ndalonte ekstremistët. “Duket, si aq shpesh në histori, se janë socialdemokratët ata që i kanë ndaluar ekstremistët në rrugën drejt pushtetit.” Ishte një punë shumë e vështirë”, tha socialdemokrati për televizionin ZDF. “Kushtet në të cilat ishim, qenë të vështira, por ia vlejti.”

AfD me trend rritjeje, BSW hyn fuqishëm në politikë
AfD nuk doli forca kryesore, por forcoi trendin e rritjes së elektoratit. Nëse para pesë vjetësh kjo parti arriti 23% të votave, në zgjedhjet e së dielës AfD kapi rezultatin 29,2%. “E ardhmja është blu, në lindje dhe kudo”, tha kandidati kryesor i AfD për landin Hans-Christoph Berndt. “Fronti kombëtar qëndron.”
E treta në renditje në zgjedhjet e landit Brandenburg është partia Aleanca Sahra Wagneknecht, BSW që konsiderohet si parti populiste e majtë. Aleanca e re BSW që merr pjesë për herë të parë në zgjedhjet e landit arriti menjëherë rezultat dy shifror, 13,5%, sipas Institutit infratest dimap. BSW pritet të luajë rol në krijimin e qeverisë.

CDU që kryeson në nivel federate, në zgjedhjet e Brandenburgut u rendit e katërta, 12,1%, sipas infratest dimap. Ajo shpreson të jetë kandidate e vogël e koalicionit me SPD. Kandidati kryesor i saj Jan Redmann u shpreh pas zgjedhjeve se votuesit duan një politikë tjetër. “Zgjedhësit po na thërrasin: bëni më në fund një politikë tjetër, pushoni me fraza boshe. Ne do t’iu matim me vepra”, tha Redmann.

Reagime nga SPD – po fryn erë tjetër për socialdemokratët?
Pas zgjedhjeve të dielën, kryeministri i një landi tjetër, Renani-Pfalz Alexander Schweitzer po nga SPD u shpreh optimist. Rezultatin e zgjedhjeve të landit Brandenurg ai e sheh si shenjë për ardhjen e një momenti të mirë për partinë SPD në nivel federal. Arsyet e fitores së zgjedhjeve qëndrojnë në Brandenburg në “mobilizimin e jashtëzakonshëm” nga kryeministri Dietmar Woidke, tha Schweitzer për “Spiegel”. Por edhe për SPD në nivel federal do të ngrihet “sërish temperatura politike”, tha politikani socialdemokrat.

Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të SPD-së, Kevin Kühnert funksionoi “maratona e arritjes së objektivit” që i vuri vetes SPD e landit Brandenburg javët e fundit duke u angazhuar maksimalisht. Por problemet e partisë SPD në federatë nuk janë bërë më të vogla, tha Kühnert.
Edhe kryetari i Partisë Socialdemokrate, Lars Klingbeil është i vetëdijshëm, se fitorja e SPD-së në Brandenburg i dedikohet kryeministrit aktual Woidke. Madje kryeministri i landit Brandenburg u distancua nga qeveria federale e koalicionit gjatë fushatës. “Ne e dimë se niveli federal nuk dha mbështetje”, tha Klingbeil për Phoenix. Por tani dihet, se “aty ku SPD kujdeset për shtresën e mesme , aty ku kujdeset për vende pune në industri, ku kujdeset për temat normale të qytetareve e qytetarëve, aty SPD fiton.” Pyetjeve për efektin që do të kenë këto zgjedhje për kancelarin, Klingbeil nuk iu përgjigj drejtpërdrejt. Por bashkëkryetari i SPD, Klingbeil forcoi mbështetjen për kancelarin, Scholz që të jetë kandidati i socialdemokratëve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, 2025.

Shqetësim tek Këshilli Qendror i Hebrenjve
Rezultatet e zgjedhjeve në Brandenburg kanë shkaktuar shqetësim tek Këshilli Qendror i Hebrenjve në Gjermani. Këshilli Qendror i Hebrenjve bëri fjalë për një shoqëri të polarizuar. “Nëse sërish gati një e treta e votuesve do të shohë në pushtet një parti politike shkatërruese si AfD dhe një fuqi populiste si BSW ka rezultate dyshifrore, atëherë kjo nuk mund të na lerë të qetë”, tha kreu i Këshillit, Jozef Schuster. “Fuqia e skajeve politike nuk është e mirë për Gjermaninë.” Ndërsa zëvendëspresidenti i Komitetit Ndërkombëtar të Holokaustit, Christoph Heubner apeloi tek partitë demokratike, “që të demaskojnë politikën nxitëse të AfD dhe të rifitojnë qytetaret e qytetarët për demokracinë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb