Nga datat 23 deri më 28 Shtator, do të organizohet në vendin tonë Java Kulturore Kineze, pjesë e Javëve Kulturore Ndërkombëtare, mbështetur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Gjatë kësaj jave, e cila thellon më tej miqësinë dhe bashkëpunimin ndërmjet Shqipërisë e Kinës, që këtë vit celebron 75-vjetorin e Krijimit të Marrëdhënieve Diplomatike mes dy vendeve, do të organizohen një sërë aktivitetesh.

Pikërisht për të festuar këtë celebrim të rëndësishëm më datë 25 Shtator, ora 18:30, në Katedralen e Kishës Ortodokse në Tiranë, do të organizohet një koncert muzikor nga artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Vallëzimit të Republikës së Kinës, të cilët do të performojnë pjesë nga historia mijëra vjeçare e trashëgimisë së tyre muzikore.

Java Kulturore Kineze1
Java Kulturore Kineze1

Muzika, një nga elementët dallues dhe të spikatur të trashëgimisë kulturore kineze, e cila karakterizohet nga ritmet, meloditë dhe instrumentet unike të transmetuara brez pas brezi, ju fton që mos ta humbisni këtë natë.

Në javën Kulturore Kineze nuk mund të mungonte arti i kinemasë. Nëpërmjet një seleksionimi të kuruar, do të keni mundësi për të përjetuar kulturën kineze dhe për të zbuluar traditën dhe rëndësinë e saj përmes artit të shtatë, kinematografisë. Tematikat eksplorojnë nga zhvillimet moderne te shoqërisë deri tek jeta e përditshme e personazheve të ndryshëm.

Po ashtu është menduar që pjesë e Javës Kulturore Kineze, nga data 23 deri më 29 Shtator, në Galerinë e Artit të Tiranës të mbahet ekspozita “Miqtë, Art dhe Histori”, kuruar nga piktori Helidon Haliti. Veprat e ekspozuara janë të realizuara në mediumin e akuarelit, nga mjeshtrat botëror të njohur kinezë, si Liu Yi, Zhou Tianya, LI Xiaocheng, Rick Huang, Wang Hai Tao, Hu Xiaoxing etj. Në telajot e këtyre artistëve mbizotron natyra, folklori dhe pejzashi.

E nuk kishte si të mungonte në këtë javë shija unike gastronomike e Kinës dhe jo vetëm. Më datë 27 Shtator, ora 18:00, tek Pedonalja e Tiranës do të organizohet “Festival i Ushqimeve Kineze”. Ky event do të ofrojë një gamë të gjerë pjatash tradicionale kineze, punime artizanale, lojëra argëtuese, demonstrime të kaligrafisë kineze, perfomancë muzikore me Guzheng, një instrument tradicional kinez etj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb