Real Madrid përballet me Alaves, në ndeshjen e La Liga. Numri një i pankinës së Los Blancos, Carlo Ancelotti iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve para këtij takimi.

“Jemi në një moment të mirë, duhet të vazhdojmë kështu, duke pasur parasysh se në çdo ndeshje duhet të luftosh dhe të vuash”.

Si është Bellingham?
Ai është shëruar, megjithëse i duhet një mbrojtëse e shpatullave për të qenë më i sigurt. Ai mund dhe do të luajë. Carvajal-it, nga ana tjetër, i duhen edhe disa ditë.

A do të pushojë Mbappé dhe në vend të tij do të luajë Endrick?
Do ta shihni kur të nisë ndeshja. Natyrisht, do të ketë disa rotacione. Endrick po bën mirë kudo që e vendos, sulmues, anësor. I kërkoj të jetë i durueshëm, e kupton situatën në mënyrë perfekte, sepse stërvitet dhe jeton çdo ditë me sulmuesit më të mirë në botë.

Keni shënuar vetëm një gol në pjesën e parë, si e shpjegoni?
Është një fakt që tërheq vëmendjen, për të folëm edhe para ndeshjes kundër Espanyolit. Na u desh të vendosnim pak më shumë intensitet, por duke kuptuar që skuadrat bien në pjesën e dytë dhe ka hapësira.

Si ka mundësi që një skuadër që “luan kaq keq” nuk ka humbur në 38 ditë?
Nuk mund t’jua shpjegoj (qesh). Për mua nuk luajmë keq. Gjëja më e habitshme është se Real Madridi vitet e fundit nuk ka pasur një identitet të vetëm: bllok të ulët, tranzicione, posedimi i topit… Pra, kemi provuar gjithçka. Fakti i mospasjes së një identiteti të qartë na bën të mendojmë se nuk “luajmë mirë”.

Personalisht do të festoni 300 ndeshje me Real Madridin…
Kam pasur fatin e madh të stërvis klube të mëdha, si Milani, për të cilin kam një dashuri të veçantë. Gjithsesi, Real Madridi është klubi më i mirë në botë, nuk kam dyshime për këtë. Të jesh 300 herë në këtë stol nuk është ndonjë mrekulli, por pothuajse.

A keni vendosur tashmë se kur do të tërhiqeni?
Jo. Më pëlqen ta bëj këtë punë dhe përpjekja ime nuk është e krahasueshme me atë të lojtarëve. Ndoshta ka mbingopje mendore, sepse është e vërtetë që ka presion dhe përgjegjësi, por më pëlqen. Tani për tani nuk kam datë skadimi. Do të vazhdoj, do të doja të trajnoja edhe për shumë vite.

Sa lëndime të tjera duhet të ketë që dikush të bëjë diçka?
Dua t’ju them se jam shumë i pikëlluar për dëmtimin e lojtarëve të rëndësishëm si Ter Stegen, një nga portierët më të mirë në botë. Shpresoj që ai të rikuperohet shpejt. Për momentin nuk mund të bëjmë shumë, sepse siç thashë, asgjë nuk do të ndryshojë këtë sezon. Sidoqoftë, bota e futbollit duhet të reflektojë për kalendarin e ngjeshur.

Çfarë mendoni për situatën e Mendy? Për ju është “më i miri në botë në mbrojtje”, por shpesh nuk thirret në ekipin kombëtar…
Jemi shumë të lumtur, ai ka rinovuar kontratën. E shoh mjaft mirë, niveli i tij mbrojtës është i nivelit më të lartë. Nuk është se ka vështirësi me topin, por nuk i kërkoj të bëjë përpara. Ne kemi një anësor të majtë shumë të fortë, kështu që nuk kemi nevojë të kërkojmë shumë prej tij në fazën sulmuese. Nuk i kërkojmë as të qëndrojë prapa, sepse ndonjëherë duhet të punojë në inferioritet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb