Qindra shqiptarë nga Lugina e Preshevës kanë marshuar të hënën në një protestë kundër diskriminimit dhe në kërkim të barazisë dhe të drejtave të tyre në Serbi.
Një nga organizatorët e tubimit tha se “nga këtu dërguam porosinë se shqiptarët duan barazi, se barazia padrejtësi nuk bëhet. Kërkesat e shqiptarëve janë të kamotshme, e kamotshme është edhe heshtja e shtetit dhe padrejtësia që po ua bën shqiptarëve”.
Kërkesat e protestuesve janë kthimi i gjykatës, zbatimi i marrëveshjeve të deritanishme, kthimi i adresave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, njohja e diplomave shkollore dhe integrimi i shqiptarëve në organet shtetërore.
Serbia e ka mohuar vazhdimisht se shqiptarët në këtë vend janë të diskriminuar, por veprimet në terren tregojnë të kundërtën.
Protestuesit marshuan nëpër qendrën e qytetit të Preshevës pranë institucioneve duke mbajtur pankarta me mbishkrime si: “Stop pasivizmit selektiv”, “Duam libra shqip” dhe “Kthema adresën”, si dhe të veshur me fanella me mbishkrimin “Për identitet dhe dinjitet”.
Protestuesit të cilit u udhëhoqën nga përfaqësuesi i vetëm i shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi dhe kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ndaluan pranë ndërtesës së komunës së Preshevës, ku u këndua himni kombëtar shqiptar.
Kjo është protesta e dytë e shqiptarëve të Luginës në dy muajt e fundit, pas asaj në Bujanoc në gusht.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, shqiptarët janë pakica e katërt më e madhe në Serbi, përkatësisht në këtë shtet jetojnë 61.687 shqiptarë.
Përfaqësuesit e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit – komuna që njihen edhe me termin Lugina e Preshevës shpesh janë ankuar se diskriminohen nga autoritetet në Serbi.
Një problem me të cilin përballen shqiptarët e Luginës së Preshevës është edhe mosnjohja e diplomave universitare të fituara në Kosovë, pavarësisht se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për këtë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Ato kanë arritur disa herë marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të diplomave universitare, ndërsa më 2020 ato e ritheksuan përkushtimin e tyre për njohjen e diplomave dhe certifikatave profesionale, por deri tani nuk janë bërë hapa për zbatimin e tyre.
Ndërkohë, në fund të vitit të kaluar, shqiptarët e Luginës u ankuan edhe për një rritje të numrit të çaktivizimit të adresave të tyre nga policia serbe, duke e akuzuar Beogradin se i ka fshirë ato në mënyrë të paligjshme, për t’ua mohuar të drejtat elementare.
Problemi i çaktivizimit të adresave është përmendur në raportin e Komisionit Evropian për Serbinë më 2022, në pjesën që ka të bëjë me respektimin e të drejtave të pakicave.
(BalkanWeb)