Rusia nuk do të kryejë testime bërthamore, për aq kohë sa Shtetet e Bashkuara përmbahen nga testime të tilla. Kështu tha zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS.

Javën e kaluar, gazeta shtetërore ruse, Rossiyskaya Gazeta, publikoi një intervistë me Andrei Sinitsyn, kreun e uzinës bërthamore ruse në Novaja Zemlja, duke thënë se kjo uzinë është gati për testime në shkallë të plotë.

Ryabkhov tha se përgatitjet në Novaja Zemlja janë ndërmarrë në përgjigje të veprimeve të ngjashme të ndërmarra nga SHBA-ja.

Së fundi, zyrtarët rusë kanë shpeshtuar kërcënimet se mund të përdorin armë bërthamore, nëse Perëndimi i lejon Ukrainës të përdorë armët perëndimore për të sulmuar thellë brenda territorit rus.

Po ashtu, javën e kaluar, MPJ-ja ruse paralajmëroi Ukrainën – me të cilën zhvillon luftë që nga viti 2022 – dhe SHBA-në se nëse e provokojnë Bjellorusinë, do të përballen me “pasoja katastrofike”.

Bjellorusia i ka ofruar mbështetje logjistike Rusisë, që kur Moska nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Që atëherë, Moska ka zhvendosur në Bjellorusi armë bërthamore taktike – zhvendosja e parë e armëve të tilla jashtë Rusisë që nga rënia e Bashkimit Sovjetik.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: