I ftuar sot në studion e emisionit “Rudina”, aktori Arben Dervishi u surprizua nga kolegia Joli Agolli, e cila është një prej mikeshave dhe bashkëpunëtoreve të tij. Në SHBA ata arritën të realizojnë bashkë një program komedie në Youtube që rezultoi mjaft i suksesshëm.

Kur ka qenë e pranishme në studion e “Rudinës” në Tv Klan, Joli ka marrë një videomesazh nga SHBA prej mikut të saj. Këtë herë, ajo ia ka kthyer me disa fjalë e vlerësime që e bënë aktorin të përlotet.

Joli Agolli: E di që je mirë se të pashë në Korçë, gjithashtu i kam ndjekur arritjet e tua artistike dhe sinqerisht jam shumë e lumtur për ty. Kur më kontaktoi gazetarja dhe tha ‘a mund të japësh një videomesazh për Arben Dervishin’, e pranova ftesën me shumë kënaqësi dhe dua të jap një mesazh jo si Joli për Benin, por si një artiste për një artist dhe një fakt për ty Arben Dervishi që ndoshta jo të gjithë e dinë. Të lësh Shqipërinë, të lësh artin, të lësh karrierën, duartrokitjet e publikut dhe të vish këtu në Amerikën e madhe që nuk e di se çfarë të pret, është një sakrificë shumë e madhe dhe është një brengë shumë e madhe.

Ti e ke trajtuar me shumë dinjitet, çove përpara një familje të mrekullueshme dhe edukove dy vajza shumë të suksesshme. Siç e shikon, Shqipëria nuk të paska harruar. Shqipëria të dashka shumë fort. Sot të ka pritur me duartrokitje dhe ti je duke shkëlqyer në skenat shqiptare. Kjo na bën ne të gjithëve këtu jashtëzakonisht shumë krenarë për ty. Vazhdo shkëlqe! Bëj artin tënd ashtu siç ti di dhe siç ti do, mos u ndal asnjëherë! Unë të uroj nga zemra suksese, suksese, suksese dhe shijoje atdheun tonë të dashur, Shqipërinë!”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb