Partizani doli me një barazim pa gola nga derbi me Tiranën. Në fakt sa i përket rezultatit, nuk humbi, por loja e zhvilluar dhe defektet që dolën në pah, tregojnë se të kuqtë po humbasin shumë nga forca e tyre ndeshje pas ndeshje. Në krahasim me skuadrën e sezonit të shkuar, ky Partizan ka humbur shumë nga forca dhe karakteri i vet.
POZITIVE Por le ta nisim me të vetmen të mirë që pamë nga ky derbi. Veselinoviç erdhi me një risi si Preka në formacion, duke ulur në stol Bytyçin. Shkodrani nuk ishte aktivizuar më parë nga trajneri serb dhe kundër Tiranës mbrojtja funksionoi mirë. Risia tjetër ishte Kote, i cili hyri me një ritëm shumë të mirë në ndeshje dhe me iniciativën e tij, ndryshoi edhe sjelljen e shokëve.
“ME SHPIRT” Në këtë start të sezonit ne nuk po shohim një Partizan të vrullshëm, grintoz dhe të guximshëm. Duket e çuditshme sesi skuadra i humbi këto virtyte në një kohë të shkurtër. Të kuqtë në derbi ishin një skuadër “e ndrydhur”, e tërhequr, me Veselinoviç, që nga gjestet e tij nuk është se po përpiqej t’i shtynte lojtarët të ndryshonin këtë qasje. Nga ana tjetër, që një skuadër të jetë e guximshme dhe me karakter dominues, duhet të jetë cilësore. Kjo i mungon më shumë këtij Partizani.
KRAHË “TË PRERA” – Është e habitshme sesi një lojtar si Cara, që deri dje dilte 3-4 herë në pozicion shënues, e prek topin kaq pak në zonat ku mund të rrezikojë kundërshtarin. Duket se lojtari po kalon një periudhë jo të mirë, por nuk ka sesi të jetë vetëm kjo. Lidhjet e skuadrës në krahë nuk janë të duhurat në të gjitha metrat e fushës sa i përket lojës ofensive. Edhe nga e djathta nuk po shkëlqejnë, ku përjashtim bëjnë vetëm disa pasime episodike të Hadrojt dhe Zekës në derbi, që janë shumë pak. Nga ana tjetër, Zguro nuk u pa në bashkëpunim me Carën për të dalë përpara dhe për të synuar zonat e vogla në gjysmëfushën e Tiranës.
SULMI Më lart përmendëm Carën, por duhet thënë se i gjithë sulmi i Partizanit nuk po funksionon siç duhet. Zeka, Mba dhe Bintsuka kanë shënuar vetëm nga një gol në këto pesë javë, që janë shumë pak për çka pritet nga ata. Mjafton të themi se aq sa ka shënuar i gjithë sulmi, ka realizuar Rrapaj i vetëm, 3 gola. Që të shënojë një mesfushor nuk është aspak gjë e keqe, por kjo nuk ofron garanci. Jo vetëm kaq, por fakti që shënojnë më shumë mesfushorët, tregon edhe dobësi në manovër dhe në rrugëdaljet e ekipit.
ORGANIZIM Vetë Veselinoviç e pranoi pas ndeshjes se skuadrës i mungon një lojtar që nxjerr topin nga mbrojtja në sulm. Në derbi kjo u vu re më qartë. Kur u largua Maget, klubi nuk arriti ta zëvendësojë me një lojtar të ngjashëm dhe është krijuar një “gropë”, që me mesfushorët aktualë nuk mbushet dot.