Luca Gotti-t i kushtoi shtrenjtë rotacioni dhe inatet personale, pa Ramadanit dhe një pjesë të mirë të titullarëve, Lecce eliminohet nga Kupa e Italisë për herë të tretë radhazi nga një skuadër e Serie B. Në fazën e 1/16, Sassuolo i rezervoi një surprizë të hidhur brenda në shtëpi duke i mposhtur me rezultatin e pastër 0-2, duke i shënuar nga një gol për pjesë.
Pas rikuperimit të çmendur që Parma i bëri pak ditë më parë, kjo humbje shton dhe më shumë presionin mbi Luca Gotti-n i cili ka përfunduar në qendër të kritikave, ku edhe titullarë si Ramadani i kanë dalë kundër publikisht. Në përfundim të ndeshjes, Gotti shfaqi shenja pendimi për faktin që la në stol lojtar si Ramadani, dhe për faktin që po i rezervoi pak minuta Luis Hasës, talentit me origjinë shqiptare i cili në këtë ndeshje u aktivizua në minutën e 80-të pasi gjithçka ishte mbyllur. Në 1/8, Sassuolo do të përballet me Milan.
Një biletë për më tej në fazën e 1/8 siguroi edhe Cagliari i Alen Sherrit duke mposhtur Cremonese me rezultatin minimal 1-0. Portieri kuqezi bëri debutimin e tij me fanellën e Cagliari-t, një ndeshje perfekte për ish gardianin e Egnatias, një nga lojtarët më të vlerësuar. Në fazën e 1/8 Sherri “peshkon” Juventus.
Me Ardian Ismajlin pushim, Empoli kaloi Torinon me rezultatin 2-1 duke siguruar një biletë për në fazën e 1/8 ku do të përballet me Fiorentinën.