Derbi i kryeqytetit, ndeshja më e madhe e futbollit shqiptar, po humbet vlerat dhe interesin e tifozëve.
Që nga viti 2020, kur Tirana dhe Partizani kanë nisur ta luajnë këtë ndeshje në stadiumin “Air Albania”, përveç spektaklit, kanë hedhur një sy edhe nga fitimet financiare, që duhet thënë se kanë qenë të konsiderueshme. Këtë herë ka qenë ndryshe dhe Partizani si organizator i sfidës nuk ka arritur të dalë me një fitim, që do ta ndihmonte klubin të mbyllte “vrima” të rëndësishme financiare sa i përket harxhimeve përgjatë vitit.
REKORD NEGATIV – “Panorama Sport” mëson se për derbin e së shtunës së kaluar janë shitur gjithsej 11400 bileta, që përbëjnë rekordin më negativ ndonjëherë që kur kjo ndeshje luhet në “Air Albania”, duke përjashtuar periudhën e pandemisë, kur tifozët ishin të përjashtuar nga stadiumet. Praktikisht, derbi po bie çdo ditë e më shumë në kufijtë e një ndeshjeje të rëndomtë kampionati, që nuk tërheq marketing, nuk prodhon spektakël dhe në fund fitimet i ka të ulëta. Nga derbi i fundit i sezonit të shkuar, i luajtur në muajin prill në të njëjtin stadium, ka pasur një ulje prej plot 1100 tifozësh. Vetëm pak muaj më parë derbin e ndiqnin në stadium 12500 spektatorë. Këto shifra janë shumë larg 21000 vetëve që shihnin derbin në stadium në shkurt të vitit 2020.
FITIMET – Me një përllogaritje të përafërt nga biletat e shitura në këtë derbi Partizani ka arritur të arkëtojë rreth 90 milionë lekësh të vjetër, një pjesë e konsiderueshme e të cilave kanë shkuar për qiranë e stadiumit dhe shpenzimet e tjera mbi organizimin e ndeshjes. Të kuqtë mund të kenë fituar afro 70-75 milionë lekë, shifër e përpjesëtuar në krahasim me pak vite më parë, kur stadiumi mbushej plot dhe klubet në dy derbe nxirrnin shpenzimet e një pjese të mirë të sezonit.