Është shfaqur i restauruar filmi I njohur “Kapedani”. Ndërsa restaurimi i hap rrugën pjesëmarrjes në festivale, vajza e aktorit Nikolin Xhoja, kujton një ditë xhirimesh

Filmi shqiptar “Kapedani” i xhiruar nga Kinostudio “Shqipëria e re” në fillimvitet 1970, është rishfaqur i restauruar. Nën regjinë e Muharrem Fejzos dhe Fehmi Hoshafit, filmi, ka në qendër Xha Sulon, i cili refuzon rolet drejtuese të gruas në shoqërinë e kohës. Sado që filmi del disi mbi skematizmin e kohës, ai shenjohet nga tiparet narrativës komuniste mbi emancipimin e gruas. 52 vite më vonë, vajza e aktorit Nikolin Xhoja, që në film interpreton Xha Beqon, kujton një ditë prej xhirimeve.

“Babai e veçonte këtë film. Në fillim kishte pak batuta më pas ju shtuan shumë gjatë xhirimeve. Mbaj një ditë do shkonim të xhironim në det, dhe aty kalojmë pranë një burgu ku kishte të burgosur politikë. I dëgjuam të thërrisnin ‘Nikolin Xhoja’, ‘Nikolin Xhoja’ dhe ndaluam. U prekëm shumë. U prek shuëm gjitëh stafi i filmit. Dua të them që arti i ndihmon njerëzir në çdo kohë”, tha Aksinja Xhoja.

Filmi është restauruar nga një bashkëpunim i arkivit të filmit me Shoqatën e Kinemase Europiane dhe u shfaq në Tirana International Film Festival në programin TIFF Classics.

“Restaurimi në 4k i hap rrugë filmit që të marrë pjesë në festivale të ndryshme jashët vendit dhe besoj që ka nevojë për një komedi shqiptare”, tha drejtorja e AQSHF-së, Marinela Ndria.

Sado që filmi rreket të vlerësojë gruan në shoqëri, filmat e xhiruar para ‘90-ës e kishin të pamundur të shmangnin direktivat partiake të kohës kur u xhiruan. Të gjithë filmat, para shfaqjes për publikun kontrolloheshin me lupën e ideologjisë dhe çdo shmangie hiqej nga filmi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb