Të paktën 23 sirianë kanë mbetur të vdekur të mërkurën vonë në Liban, si pasojë e një sulmi izraelit ku u godit një ndërtesë që strehonte punëtorë nga Siria.

Sulmi ndodhi pak pasi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj bënë thirrje për një armëpushim “të menjëhershëm 21-ditor për të siguruar hapësirë për diplomacinë” në luftimet mes Izraelit dhe Hezbollahut, raporton AP.

Izraeli ka kërcënuar se do të nisë një pushtim tokësor dhe shkëmbimet gjithnjë e më të mëdha të zjarrit mund të shkaktojnë një luftë gjithëpërfshirëse.

Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit ka raportuar se sulmi i të mërkurës ndodhi pranë qytetit antik të Baalbek në Luginën verilindore Bekaa të Libanit, i cili kalon përgjatë kufirit sirian.

Kryqi i Kuq Libanez ka thënë se gjeti nëntë trupa, ndërsa të tjerët u gjetën nga shërbimi paramedik i grupit militant Hezbollah dhe Mbrojtja Civile Libaneze.

Libani, me një popullsi prej rreth 6 milionë banorësh, ka gati 780,000 refugjatë sirianë të regjistruar dhe qindra mijëra të paregjistruar, niveli më i lartë i refugjatëve në botë për frymë.

Izraeli ka kryer disa ditë sulmesh të rënda në të gjithë Libanin, duke synuar ato që thotë se janë raketahedhës të Hezbollahut dhe infrastrukturë tjetër ushtarake. Militantët kanë lëshuar qindra raketa në Izrael dhe të mërkurën kanë shënjestruar Tel Avivin për herë të parë me një raketë me rreze më të gjatë që u kap.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: