Tek Real Madrid janë të shqetësuar. “Ylli” i tyre sulmuesi francez Kylian Mbappe, ka pësuar një dëmtim, që do ta mbajë larg fushave për afro 3 javë. Pikërisht lidhur me periudhën e riaftësimit, tifozët dhe klubi madrilen janë në ankth, kjo pasi më 25 Tetor është planifikuar të zhvillohet edhe Classikja e famshme, Real-Barça në Bernabeu.
Vetë klubi mbretëror në një komunikatë për shtyp, theksoi se sulmuesi Mbappe ka pësuar një lëndim në bicepsin femoral të këmbës së majtë dhe se do të jetë në vëzhgim të stafit mjekësor ditë pas dite, për të mësuar se kur do të mund të rikthehet sërish në fushë.
Edhe mediat në Spanjë, i kushtuan një hapësirë të veçantë dëmtimit të Mbappe, teksa si Marca po ashtu edhe AS i frikësohen një derbi pa sulmuesin francez. Gara me kohën për Kylian Mbappe sapo ka filluar, në Madrid të gjithë kryqëzojnë gishtat, pasi një El Classico pa të, do të ishte një mungesë shumë e rëndësishme.