Mungon ende zyrtarizimi,  por projekti i organizimit të Kampionatit Europian U21 nga Shqipëria dhe Serbia në vitin 2027 po  merr jetë. UEFA ka bërë me dije se kjo alternativë është më e mira për momentin, duke parë edhe mundësitë e tjera.

Institucioni i cili drejton futbollin në kontinent ka bërë të ditur se me mbylljen e afatit për dorëzimin e kandidaturave për këtë aktivitet, e vetmja që ka mbërritur në zyrat e saj është pikërisht kjo e dy vendeve ballkanase dhe tashmë po merret në shqyrtim projekti. Belgjika dhe Turqia kishin shfaqur fillimisht interes për të zhvilluar këtë aktivitet, por më pas ishin tërhequr dhe askush tjetër nuk kishte paraqitur një kandidaturë zyrtare. UEFA ka bërë të ditur se Serbia dhe Shqipëria kanë dorëzuar një projekt të detajuar të kandidaturës së tyre këtë javë dhe kjo praktikisht e bën këtë projektin fitues, me zyrtarizimin që tashmë është thjesht formalitet dhe pritet të bëhet zyrtar në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të 16 dhjetorit.

Sipas planit, Serbia do të organizojë pjesën më të madhe të ndeshjeve të turneut me 16 skuadra, në të cilin luhen 31 takime dhe nevojiten 8 stadiume të standarteve ndërkombëtare, arsye pse pala serbe kishe nevojë për ndihmë nga një prej vendeve të rajonit, duke siguruar bashkëpunimin me Shqipërinë.

Tani pritet të mësohet se si do të reagojë opinioni në vendin tonë pas këtij organizimi, duke kujtuar se pasi u bë publik lajmi për idenë e këtij bashkëpunimi, kishte shumë kundërshti nga tifozeritë e organizuara që mbështesin Kombëtaren shqiptare.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb