Deputeti Ervin Salianji ka mbërritur në selinë e PD-së, atje ku në orën 20:00 nis mbledhja e Kryesisë së kësaj force politike, ku pritet të përcaktohet edhe strategjia që do të ndjekë partia më e madhe opozitare në vend, pas vendimit të Gjykatës së Apelit që e dënoi nënkryetarin e Grupit Parlamentar demokrat me 1 vit heqje lirie.
Në videon e siguruar nga gazetari i News24, Osman Stafa, Salianji shfaqet duke përshëndetur me disa nga mbështetësit e opozitës që ndodheshin në selinë e PD-së, në pritje të nisjes së mbledhjes së kryesisë.
Vendimi i Apelit është i formës së prerë dhe pritet që fillimisht prokurori të nxjerrë një urdhër për zbatimin e vendimit dhe më pas të vijojë procedura lidhur me hapat që do të ndiqen.
PD dhe faktorë të tjerë opozitarë e konsideruan vendimin e Apelit si politik, ndërsa kjo është hera e parë në jurisprudencën shqiptare të 34 viteve të fundit që një deputet dënohet me burg për akuzën e Kallëzimit të Rremë, publik.