Pak më parë në selinë e PD ka mbërritur deputeti Ervin Salianji, ndaj të cilit u mor vendimi  nga Gjykata e Apelit ditën e djeshme, për dënimin me një vit burg.

Gazetari Osman Stafa raporton se Salianji do të zhvillojë një takim me kreun e Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi dhe nënkryetarin Agron Gjekmarkaj.

Shkak i këtij takimi është plotësimi i dokumenteve për të kallëzuar në SPAK, ish-ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Kujtojmë se ditën e djeshme Gjykata e Apelit dha vendimin me 1 vit burg për deputetin Salianji.

Pas vendimit, reagime të shumta kanë ardhur nga opozita në mbështetje të deputetit demokrat.

U zhvillua edhe një mbledhje e grupit parlamentar dhe Kryesisë së PD, ku vendimi u konsiderua si “hapje lufte” ndaj PD, si dhe u vendos që në 6 tetor të nisin protestat.

Sipas raportimeve nga selia blu bëhet fjalë edhe për protesta të tjera në gjithë Shqipërinë, ndërsa në fillim të mbledhjes, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka propozoi bllokime të akseve rrugore, porteve e aeroporteve, por edhe jetës universitare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb