Vllaznia-Dinamo do të jetë një tjetër sfidë shumë e rëndësishme e javës së 7-të të kategorisë Superiore.

Shkodranët do të luajnë nesër ndaj Dinamos në Elbasan ndeshjen e radhës për kampionat dhe objektivi padyshim do të jetë fitorja. Trajneri Tomas Brdariç në konferencën për shtyp u shpreh se e vlerësonte kundërshtarin e radhës, por nga ana tjetër deklaroi se do të luftojnë fort për të treguar se Vllaznia është skuadra më e mirë.

“Ishte një javë e shkurtër për ne dhe nuk kishim shumë kohë për të menduar nëse jemi të parët në renditje apo jo. Fokusi ynë është i përqendruar tek puna dhe ndeshja e radhës dhe të vazhdojmë serinë e rezultateve pozitive. Sfida jonë është të ruajmë këtë performancë sepse çdo ndeshje do të jetë e rëndësishme për ne.

Jam i fokusuar tek takimi i nesërm me Dinamon, një kundërshtar i fortë, një nga ekipet më të mira të kampionatit, ka lojtarë me cilësi shumë të mira individuale dhe një trajner me shumë përvojë. Por ne do të bëjmë çdo gjë që të jetë e mundur për të treguar se jemi ekipi më i mirë.

Do të ketë shumë sfida brenda ndeshjes së nesërme dhe jo vetëm një sfidë trajnerësh, por nuk e mbaj shumë mendjen tek këto detaje. Për mua si trajner nuk është shumë e rëndësishme që skuadra të bëjë një futboll të bukur, por të marrë pikë. Nëse ekipi luan edhe bukur, atëherë fitoret të shijojnë dhe më shumë”, tha ai ndër të tjera.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: