Zbardhet vendimi i shkurtuar i Gjykatës së Apelit lidhur me deputetin demokrat Ervin Salianji. Një ditë më parë kjo Gjykatë vendosi dënimin me 1 vit burg të deputetit demokrat, duke lënë në fuqi kështu vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të dhënë nga gjyqtari Artan Gjermani, i larguar nga sistemi i drejtësisë si pasojë e Vetting.
Në vendimin e shkurtuar, të siguruar nga gazetari i News24, Igli Çelmeta, thuhet se palët kanë një afat kohor prej 45 ditësh për të bërë rekursin në Gjykatën e Lartë.
Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi, si dhe Albert Veliu dhe Fredi Alizoti, akuzohen për kallëzim të rremë të kryer në bashkëpunim, ndërsa kallëzuesi është Geron (Agron) Xhafaj, vëllai i deputetit socialist Fatmir Xhafaj.
Vendimi, sipas një njoftimi zyrtar nga Apeli, është marrë në unanimitet nga trupa gjykuese me relatorë Elona Toro, dhe anëtarë Genti Shala dhe Iliba Bezati.